Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetje ndaj përpjekjeve të qeverisë së Maqedonisë për të eliminuar një grup të armatosur që përpiqet të minojë paqen dhe stabilitetin në vend.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher tha dje se Uashingtoni mbështet veprimet policore legjitime dhe me objektiv të qartë kundër grupeve të armatosura që përpiqen të destabilizojnë vendin. Por ai u bëri thirrje autoriteteve maqedonase të përdorin minimumin e forcës për të mbrojtur jetën dhe pronat e banorëve të pafajshëm.
Komentet e zëdhënësit u bënë një ditë pas vrasjes së dy personave të armatosur në përleshjet midis një grupi të armatosur shqiptar dhe forcave të qeverisë. Zëdhënësi tha se duket se gjendja po normalizohet.HOLKERI: BISEDIMET MUND TE FILLOJNE SE SHPEJTI
Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Harri Holkeri tha se bisedimet e para midis autoriteteve serbe dhe udhëheqësve të shqiptarëve mund të fillojnë gjatë pak javëve të ardhëshme.
Zoti Holkeri tha se shpreson t’i shpallë hollësitë në të ardhmen e afërt. Ai i bëri komentet sot në Bruksel, pas bisedimeve me shefin e politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.
Ndërkohë, Komisioneri evropian për punët e jashtëme, Chris Patten do të vizitojë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin.
Ai do të takohet me shefin e UNMIK-ut Holkeri, me drejtuesit e institucioneve vendore dhe me figura të tjera politike të Kosovës. Për herë të parë ai do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Kosovës.
Në prag të vizitës, komisioneri Patten tha se përsa i përket Kosovës, ”është nevojë urgjente që të qendrohet larg veprimeve provokative, siç është marrja e pozicioneve lidhur me statusin përfundimtar.”
Ai theksoi nevojën për t’u përqendruar te fillimi i një dialogu konstruktiv midis Prishtinës dhe Beogradit sa më shpejt që të jetë e mundur për çështje të interesit të përbashkët.
Ai tha se tensionet etnike nuk duhet lejuar të shkatërrojnë përparimin politik dhe ekonomik të arritur në Kosovë. //rd//