Lidhje

Abas: Izraeli po nxit dhunën - 2003-08-26


Njoftohet se helikopterë izraelitë qëlluan me raketa një makinë në Rripin e Gazës, duke lënë të vrarë të paktën një person dhe plagosur mbi 15 të tjerë.

Sipas njoftimeve, helikopterë luftarakë qëlluan një makinë në qytetin Xhabalija, duke shkaktuar plagosjen e disa kalimtarëve. Mesa duket objektivi i sulmit ishte një ekstremist i grupit Hamas që ndodhej në makinë.

Po sot, kryeministri palestinez, Mahmud Abas, tha se duke lejuar ekstremistë hebrenjë të vizitojnë objekte të shenjta në Jeruzalem, që shikohen si pika të nxehta, Izraeli po nxitë dhunën.

Zoti Abas e bëri këtë koment një ditë pasi policia izraelite u përlesh me myslimanë të akuzuar se bënë përpjekje të mos lejonin një grup jo myslimanësh të vizitonin objektin e shenjtë të njohur nga hebrenjtë si Tempulli Mount, kurse nga myslimanët si al-Haram al-Sharif.

Policia arrestoi tre zyrtarë të Trustit Islamik, autoriteti mysliman që kujdeset për këtë objekt të shenjtë në qytetin e vjetër të Jeruzalemit. Dy nga të arrestuarit u liruan sot me kusht, pasi një gjykatës u dha atyre urdhër që të mos shkonin në vendin e shenjtë për të paktën gjatë dy muajve të ardhshëm.

Izraeli e hapi objektin për vizitorë jomyslimanë për herë të parë pas thuajse tre vjetësh. Kryengritja aktuale palestineze shpërtheu në shtator të vitit 2000, pas një vizite në atë objekt nga Ariel Sharoni, i cili në atë kohë ishte udhëheqësi i opozitës izraelite.

Në deklaratën e tij të sotme, kryeministri Abaz tha se politika e Izraelit lidhur me këtë objekt të shenjtë është burim grindjesh dhe dhune.

//rd//

XS
SM
MD
LG