Një kamion-bombë i terroristëve goditi selinë e Kombeve të Bashkuara në Bagdad. Rreth 20 persona humbën jetën, ndërmjet tyre, përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Irakun, Sergio Vieira de Mello. Rreth njëqind të tjerë u plagosën. Personeli i Kombeve të Bashkura, i sulmuar nga terroristët, ndodhej atje për të ndihmuar popullin irakian të ndërtojë një Irak demokratik e të begatë. Presidenti George W. Bush tha se kjo është ajo së cilës terroristët i druhen më shumë.
”Personeli i OKB-së dhe qytetarët irakianë, të vrarë nga shpërthimi, ndodheshin atje për një mision krejtësisht humanitar. Burrat e gratë në ndërtesën e goditur po punonin për rindërtimin e Irakut dhe në fushën e kujdesit mjekësor për irakianët. Ata ndodheshin atje për të ndihmuar në shpërndarjen e ushqimeve. Përmes taktikave dhe objektivave që zgjedhin, këta vrasës e zbuluan veten edhe një herë si armiq të botës së qytetëruar”.
Terrorizmi nuk do të fitojë. Populli irakian, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe të shumë vendeve të tjera, po ndërton një shoqëri demokratike. Krijimi i këshillit kombëtar qeverisës, që ka në gjirin e tij përfaqësues të komuniteteve myslimane shia, suni, të kurdëve, turkmenëve dhe të krishterë, përbën një hap të rëndësishëm drejt vetëqeverisjes së Irakut. Këshilla qeveritare vendore janë krijuar në Bagdad, Najaf, Al Anbar, Barsra dhe në qytete të tjera.
Kujdesi shëndetësor e shërbime të tjera bazë, dikur të rezervuara për elitën e regjimit të Sadam Huseinit e të përdorura si mjet politik, po shtrihen në mbarë Irakun. Rreth 30 mijë forca policore irakiane po ndjekin kurse kualifikimi për të zbatuar shtetin juridik dhe po patrullojnë rrugët e qyteteve irakiane. Një ushtri e re irakiane po stërvitet për të mbrojtur dhe jo për të terrorizuar popullin irakian. Për herë të parë, një shtyp i lirë po lulëzon dhe njerëzit mblidhen e shprehin mendimet e tyre në publik pa patur frikën e shtypjes.
Problemet e Irakut, rezultat i dekadave të shtypjes politike e keqadministrimit ekonomik, janë tepër të mëdha, por irakianët duan t’i zgjidhin ato pa dhunë e shtypje. Presidenti Bush thotë se terroristët nuk do ta pengojnë popullin irakian: ”Çdo shenjë përparimi në Irak rrit dëshpërimin e terroristëve dhe të mbeturinave të regjimit brutal të Sadam Huseinit. Bota e qytetëruar nuk do të ketë frikë dhe këta vrasës nuk do të përcaktojnë të ardhmen e Irakut”.
E ardhmja e Irakut do të përcaktohet nga irakianët. Shtetet e Bashkuara, OKB-ja dhe vendet e botës së qytetëruar do të jenë përkrah tyre. //az//