Më 12 gusht katër veta u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën në sulme terroriste në Izrael dhe në Bregun Perëndimor. Brigada e Martirëve Al-Aqsa mori përgjegjësinë për sulmin vetvrasës me bombë, në një dyqan ushqimor në Rosh Haayin të Izraelit. Ndërkohë, grupi Hamas mori përsipër sulmin vetvrasës me bombë në një stacion autobusi në vendbanimin hebraik Ariel, të Bregut Perëndimor. Zëvendës sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Clair Buchan, shprehu reagimet e presidentit Bush lidhur me sulmet terroriste.
”I dënojmë me tonet më të ashpra sulmet terroriste, që shkaktuan vdekjen e izraelitëve civilë të pafajshëm dhe plagosën shumë të tjerë. Autoriteti palestinez duhet të veprojë tani për të shpërbërë grupet terroriste që ndërmarrin sulme të tilla. Ndërkohë që të gjitha palët e kanë për detyrë vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, dhënia fund terrorit duhet të jetë qëllimi kryesor, ndaj si palestinezët ashtu edhe izraelitët dhe partnerët e tjerë në rajon, duhet të punojnë pa vonesë që ti japin fund terrorit dhe ta mbajnë të hapur rrugën drejt paqes”.
Sulmet e 12 gushtit bien ndesh me armëpushimin e shpallur nga grupi Hamas dhe grupe të tjera terroriste palestineze më 29 qershor të këtij viti. Presidenti Bush thotë se dhënia fund sulmeve terroriste është thelbësore në arritjen e një marrëveshjeje të gjerë në konfliktin Izraelito-Palestinez.
”Të gjitha palët janë dakord që një pengesë kryesore për paqen është terrorizmi, për të cilin kurrë nuk mund të ketë asnjë lloj justifikimi. Kryeministri palestinez, Mahmoud Abbas, shprehu vendosmërinë për ti dhënë fund njëherë e mirë dhunës dhe terrorizmit. Ndërkohë autoriteti palestinez duhet ta përkrahë këtë me veprime të vazhdueshme, efektive dhe të drejtuara mirë për të konfrontuar ata që merren me terrorizëm dhe të çmontojë infrastrukturën dhe aftësitë terroriste”.
Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të ndihmuar kryeministrin palestinez Abbas, që të çrrënjosë grupet që po mundohen të sabotojnë hapat drejt paqes. Por Autoriteti palestinez duhet të veprojë menjëherë. Sikurse tha edhe presidenti Bush, ”izraelitët dhe palestinezët meritojnë të njëjtat shanse për të gëzuar një jetë normale, të çliruar nga frika, të çliruar nga urretja dhe dhuna dhe të lirë nga provokimet". *kh*