Disa ekspertë thonë se termi nanoteknologji u krijua nga fizikani Richard Feynman, fitues i çmimit Nobël në 1959, i cili thoshte se shkencëtarët mund të prodhojnë mekanizma me përmasa shumë të vogla deri në nivelin e atomit.
Feynman nuk përdori termin nanoteknologji, por për vite me rradhë kjo ide mbeti vetëm një teori.
Deri në vitin 1980 nuk ekzistonte ndonjë mënyrë për të regjistruar struktura të përmasave molekulare. Por me fillimin e viteve ’80, dy kërkues Gerd Binig dhe Heinrish Roher, duke punuar në një laborator të Zyrihut për kompaninë IBM, shpikën një mikroskop i cili ishte në gjendje të vëzhgonte më hollësisht molekulat dhe atomet.
Nga mesi i viteve ’80, shkencëtarët e shtuan punën kërkimore mbi karbonin për të krijuar struktura shumë të vogla nga atomet e këtij elementi.
Viti 1985 shënoi sukses për shkencëtarët Robert Curl, Harold Kroto dhe Richard Smalley. Drita e lëshuar drejt karbonit e shndërronte një pjesë të tij në gaz.
Pastaj shkencëtarët e vendosën gazin në temperaturë shumë të ulët dhe dalluan një molekulë e cila përbëhej nga 60 atome në formën e topit, shumë të lidhur me njëri tjetrin. Për kontributin e tyre, Robert Curl, Harold Kroto dhe Richard Smalley morën çmimin Nobël për Kiminë në vitin 1996.
Shkencëtari japonez Sumio Ijima krijoi më pas nanotubat e karbonit të cilat janë shumë të fortë. Shkencëtarët besojnë se nanotubat e karbonit do të zëvënsëdojnë një ditë grafitin që përdoret për ndërtimin e pjesëve të avionëve. Shkencëtarët filluan të përdornin nanotubat për ndërtimin e miniinstrumenteve.
Nanoteknologjia mund të përdoret edhe për përmirësimin e shumë produkteve. Kompania e pajisjeve të sportit Wilson ka krijuar një top të ri tenisi duke përdorur nanoteknologjinë, e cila i jep topit më shumë jetëgjatësi dhe një përdorim më efektiv.
Nanoteknologjia mund të përdoret në shumë drejtime të tjera. Disa kërkues mendojnë të krijojnë mjete të përmasave shumë të vogla të cilat do të mund të përdoreshin në trupin e njeriut për të luftuar sëmundjet dhe zëvëndësuar organe të ndryshme trupore që mungojnë. Nga ana tjetër inxhinierët mendojnë të përdorin nanoteknologjinë për prodhimin e materialeve sa më të lehta dhe rezistente.
Nanoteknologjia po ndikon pozitivisht edhe në fushën e elektronikës. Për shembull, në vitin 2000, kompania amerikane Intel njoftoi se kishte prodhuar tranzistorë të përmasave mikroskopike të aftë të kontrollojnë transmetimin e energjisë elektrike.//ii