Presidenti Bush pranoi për herë të parë përgjegjësinë personale për një pjesë tani të diskredituar të fjalimit që ai mbajti në janar mbi gjendjen e vendit, ku bëhej fjalë mbi pretendimet se Bagdadi po përpiqej të siguronte material bërthamor nga Afrika.
Në një konferencë shtypi që mbajti të merkurën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush mori gjithashtu në mbrojtje Këshilltaren e Sigurisë Kombëtare, Condoleeza, e cila është kritikuar për rolin e saj në këtë çështje. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë me fat që kanë një njeri kaq të ndershëm dhe të mrekullueshëm që punon në qeveri.
Drejtori i Cias, George Tenet, mori përgjegjësinë për përfshirjen në fjalim të paragrafit mbi pretendimet rreth materialit bërthamor. Të njëjtën gjë bëri edhe zëvendësi i zonjës Rice, Stephen Hadley. Në javët e fundit, administrata amerikane e ka distancuar veten nga këto preterndime, duke thënë se ato ishin të bazuara pjesërisht në raporte të huaja të falsifikuara.
Presidenti Bush hodhi përsëri poshtë kritikat rreth përdorimit të informacionit të zbulimit nga administrata e tij për të arsytuar luftën në Irak, duke thënë se atij nuk do t’i shkonte kurrë ndërmend se armiq të rrezikshëm do të tregoheshin të përmbajtur dhe vullnetmirë.
Pyetjes nëse forcat amerikane janë më afër kapjes së udhëheqësit të përmbysur irakian, Presidenti Bush iu përgjigj duke thënë se dy djemtë e Saddamit nuk i shpëtuan drejtësisë. Drejtësisë, tha ai, nuk do t’i shpëtojnë as anëtarët e tjerë të atij regjimi të urryer. Presidenti Bush tha se në muajt e ardhshëm ai do ta përqendrojë vemendjen tek ekonomia dhe siguria e popullit amerikan.
Kjo ishte konferenca e parë e shtypit që Presidenti Bush mbajti për një gamë të gjerë çështjesh që nga 6 marsi, 13 ditë para fillimit të luftës në Irak. Të shtunën, presidenti do të niset për në fermën e tij në Crawford të Teksasit, ku do të qendrojë 1 muaj.//xh//