Lidhje

Ambasadori amerikan në Liberi u bëri thirrje rebelëve që të tërhiqen nga Monrovia - 2003-07-26


Ambasadori amerikan në Liberi, John Blaney, u bëri thirrje rebelëve që të tërhiqen nga kryeqyteti Monrovia, i shkatërruar nga lufta, pasi këta të fundit morrën nën kontroll një urë kyçe dhe filluan një avancim të ri drejt qendrës së qytetit.

Dëshmitarë dhe zyrtarë ushtarakë thanë sot se rebelët e grupit Liberianët e Bashkuar për Ripajtim dhe Demokraci kaluan një urë në veri të Monrovias dhe filluan të përparojnë drejt aeroportit kryesor të kryeqytetit.

Ndërkaq, ambasadori amerikan Blaney u bëri thirrje rebelëve dhe qeverisë së presidentit Charles Taylor që të caktojnë një vijë të re armëpushimi në lumin Po, në periferi të Monrovias. Ambasadori Blaney shtoi se qeveria e ka pranuar propozimin.

Propozimi bëhet në kuadër të përpjekjeve për të lehtësuar vuajtjet në kryeqytetit e mbipopulluar, ku nga bombardimet janë vrarë të paktën 26 veta që nga e premtja.

Gjatë dy muajve të fundit, kryengritësit kanë qënë disa herë afër marrjes së Monrovias dhe para më shumë se një jave ata ndërmorën ofensivën e tyre më të fundit.

Presidenti Bush u ka dhënë urdhër trupave amerikane që të pozicionohen në afërsi të Liberisë për të mbështetur një mision të planifikuar të paqëruajtësve afrikano-perëndimorë. Megjithatë nuk është ende e qartë në se trupa amerikane do të dërgohen në Liberi.

Dje, presidenti liberian, Charles Taylor, përsëriti premtimin e tij për të dhënë dorëheqjen sapo paqeruejtësit të arrijnë në Liberi. Udhëheqësi liberian është akuzuar nga gjykata ndërkombëtare për rolin e tij në financimin e luftës civile të Sierra Leones në vitet 1990-të.

//ze//

XS
SM
MD
LG