Lidhje

3 ushtarë u vranë dhe 4 të tjerë u plagosën në veri-lindje të Bagdadit - 2003-07-26


Ushtria amerikane njoftoi se 3 ushtarë u vranë sot dhe 4 të tjerë u plagosën nga një sulm me granadë përjashta një spitali fëmijësh në Irak.

Ushtarët, nga divizioni i katërt i këmbësorisë, po ruanin spitalin në qytetin irakian Baqouba, në në veri-lindje të Bagdadit. Të plagosurit u dërguan në një klinikë amerikane.

Ndërkaq, gjatë një sulmi natën kundër personave të dyshuar si hajdutë veturash në një lagje të Bagdadit, komandanti i akademisë policore të Irakut u plagos së bashku me të paktën 4 oficerë të tij. Të dyshuarit u arrestuan.

Kurse në qytetin e Mosulit në Irakun verior, inxhinjerë të ushtrisë amerikane filluan sot të shkatërrojnë vilën ku djemtë e Sadam Huseinit, Udei dhe Kusei, u vranë nga trupat amerikane të martën. Trupat thanë se po e shkatërronin godinën sepse nuk është e sigurtë dhe mund të përbëjë rrezik.

Ndërkohë, gazeta amerikane The Washington Post shkruan sot se presidenti Bush po shqyrton mundësinë që të shtojë figura të njohura në ekipin e rindërtimit të Irakut, përfshirë edhe zotin James Baker, i cili ishte sekretar shteti në administratën e babait të zotit Bush.

Sipas gazetës, Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e shtimit të këtyre figurave në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar në ndarjen e kostos së rindërtimit të Irakut, që pritet të kapë shifrën e 4 miliardë dollarëve.

Ndërkohë, Qendra e Koaliconit për Informimin e Shtypit në Bagdad njoftoi se 13 veta u arrestuan dje në mëngjes në fshatin Oujwa, në jug të qytetit Tikrit.

Zyrtarët thonë se 5 deri 10 prej personave të arrestuar mendohet të jenë pjesë e grupit të sigurimit personal të Sadam Huseinit, por zyrtarët thanë se hetimet po vazhdojnë.

Zëdhënësi i forcave të koalicoonit, Brian Sharkey, tha se Divizioni i Katërt i Forcave të Këmbësorisë dhe Njësia e 20-të e forcave speciale kryen një operacion të përbashkët, duke rrethuar të gjithë fshatin. Sipas zëdhënësit, gjatë operacionit nuk pati viktima as nga radhët e ushtrisë amerikane e as mes civilëve irakianë.

Koalicioni njofton se një numër i madh irakianët po japin informacion rreth vend-ndodhjeve të mundshme të Sadam Huseinit. Shtimi i informacionit të zbulimit pason vdekjen të martën të dy djemve të Sadam Huseinit në një betejë të ashpër me trupat e divizionit të 101 të forcave ajrore në Irakun verior.

//ze//

XS
SM
MD
LG