Lidhje

Plani për modernizimin e aeroportit në Los Angeles ngjall debate - 2003-07-11


Kryetari i Bashkisë së Los Angeles Xhim Hahn komentoi rreth një plani për modernizimin e aeroportit të qytetit. Ai tha se projekti prej 9 miliard dollarësh do të mbrojë aeroportin nga aktet terroriste. Por kritikët thonë se shpenzimet nuk justifikojnë përfitimet e këtij projekti.

Aeroporti ndërkombëtar i Los Angeles u shërben 56 milion udhëtarëve çdo vit, duke e renditur atë të pestin në botë. Gjatë njëzet viteve të fundit, në këtë aeroport nuk është ndërmarrë ndonjë punim madhor.

Shqetësimet në rritje për aktet terroriste janë shtuar nga format e terminaleve të aeroportit, të cilat lejojnë qarkullimin e lirshëm të udhëtarëve dhe terroristëve.

Këto shqetësime filluan 4 vjet më parë kur një agjent i doganave në shtetin e Washingtonit zbuloi një makinë me lëndë shpërthyese. Shoferi i automjetit, një algjerian, tha më vonë se kishte planifikuar të hidhte në erë aeroportin e Los Angelesit.

Plani i ri i zgjerimit parashikon mënjanimin e kërcënimeve terroriste duke mbajtur larg makinat private dhe siguruar që parkimi i makinave dhe kontrolli i personave të bëhet 3 kilometra larg nga aeroporti. Për dërgimin e udhëtarëve në aeroport do të përdoret treni.

“Zotohem përpara popullit të Los Angelesit se do ta bëj aeroportin më të sigurtin në Shtetet e Bashkuara, tha zoti Hahn.

Megjithatë, një raport i Korporatës Rand, një qendër kërkimore në Kaliforni, e konsideron planin për zgjerimin e aeroportit si të gabuar. Përqendrimi i udhëtarëve në zona të caktuara, thuhet në raport, do të sjellë më shumë viktima në rast të një akti terrorist.

Në raport thuhet se tërmetet rrezikojnë më shumë jetën e njerëzve sesa aktet terroriste dhe se aeroportet janë vende të sigurta. Persona të tjerë i vënë në dyshim përfitimet ekonomike të qytetit nga ky plan.

Në përgjigje të kundërshtimit të banorëve për të zgjeruar aeroportin, Kryetari i Bashkisë, propozon që numri i udhëtarëve të mos e kalojë shifrën 78 milion në vit. Projekti i zgjerimit të aeroportit do të sjellë rritje afat-shkurtër të ekonomisë së qytetit, sepse do të krijojë vende të reja pune.

Por një analizë tregon se aeroporti nuk do të sjellë rritje ekonomike pas përfundimit të punimeve për zgjerimin e tij. Bizneset e qytetit kërkojnë zgjerimin dhe rritjen e sigurisë së aeroportit më shpresë se një aeroport i zgjeruar do të përpunojë më shumë mallra dhe do të shtojë numrin e udhëtarëve.//kk//

XS
SM
MD
LG