Lidhje

Italia premton angazhim maksimal për futjen e Shqipërisë në BE - 2003-07-07


Italia është vendi me të cilin bashkëpunimi i Shqipërisë është i shtrirë në të gjitha fushat. Shpesh autoritetet më të larta të vendit e kanë cilësuar atë si avokaten e Shqipërisë në përpjekjet e saj për t’u integruar në strukturat euroatlantike. Ndërsa në politikën e saj të jashtme Tirana e konsideron atë si një partnere strategjike.

Këtë cilësim e ka ripërsëritur të hënën edhe kryeministri Fatos Nano në takimin që pati me presidentin e dhomës së deputetëve të parlamentit italian Pierferdinando Casini.

“Falë bashkëpunimit me Italinë, në Shqipëri po afrohen biznese të rëndësishme dhe po punohet për hapjen e bankave të vërteta. Shqipëria po i afrohet me pjekuri integrimit të denjë drejt standarteve europiane në nivelin që kërkon ky standard”, tha zoti Nano.

Tirana shpreson të bëjë një hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, tani që presidencën e tij e ka Italia.

Deklarimi i para pak ditëve në Tiranë, i ministrit të jashtëm italian Frattini, për mundësinë e mbylljes së bisedimeve për marrëveshjen e Asociim Stabilizimit në fund të këtij viti, i ka rritur këto shpresa. Këtë e ka deklaruar të hënën edhe presidenti i Republikës Alfred Moisiu në bisedimet e tij me zotin Casini.

Presidenti i dhomës së deputetëve të Italisë gjatë fjalës së tij në parlamentin shqiptar rikonfirmoi mbështetjen për Shqipërinë. Italia u shpreh ai, do të punojë me angazhim maksimal që edhe Shqipëria të mund të bëjë pjesë sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Ai ka përsëritur mbështetje edhe për procesin e anëtarësimit në Nato.

Zoti Casini vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon. Por ai shtoi se ngjarjet e fundit flasin për nevojën e vazhdimit dhe të rritjes së angazhimit për forcuar nivelet e sigurisë, si një kusht të pashmangshëm për zhvillimin e plotë të rajonit.

Presidenti i dhomës së deputetëve të Italisë ka deklaruar se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet korridorit 8, projekt në të cilin është i përfshirë edhe vendi i tij.

“Shtysa për realizimin e këtij korridori paneuropian të transportit do të përbëjë një nga linjat kryesore të gjashtëmujorit italian”, deklaroi ai.

Ky projekt përbën, sipas zotit Casini, një mundësi të madhe për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social të një rajoni mjaft të gjerë që shtrihet nga Italia Juglindore deri në detin e Zi, duke afruar Europen me lindjen e Mesme.//kk//

XS
SM
MD
LG