Amerikanët po festojnë sot Ditën e Pavarësisë ndërkohë që në vend janë zbutur shqetësimet lidhur me sigurinë dhe me sulmet terroriste.
Kudo nëpër qytetet amerikane sot do të shihen më pak policë, aeroplanë reaktivë që patrullojnë qiellin apo qen që nuhasin për bomba se sa katër korrikun e kaluar, kur u festua e para Ditë e Pavarësisë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Megjithatë, autoritetet në Uashington kanë thënë se do të jenë vigjilentë gjatë ditës së sotme ndërsa pritet që mijra njerëz të grumbullohen për të festuar në lëndinën qendrore të kryeqytetit, ku do të jepet një koncert festiv dhe do të hidhen fishekzjarre.
Në Nju Jork, më shumë se 4 mijë policë do të jenë të mobilizuar gjatë fishekzjarreve që do të hidhen në East River.
Edhe në qytetet e tjera të mëdhenj të vendit janë marrë masa sigurie.
Ekspertët e turizmit thonë se një numër rekord amerikanësh po e kalojnë 4 korrikun nëpër plazhe dhe parqe.
Në një deklaratë me rastin e 227 vjetorin e ditëlindjes së Amerikës, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara po e fitojnë luftën kundër terrorizmit. Ai përgëzoi forcat e armatosura të vendit për trimërinë e tyre në luftë.//ii