Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendëskryeministri Meta tha se çdo përpjekje për të ndëshkuar një mendim ndryshe do të jetë i papranueshëm për të. Duke folur për konfliktin e tij me Kryeministrin Nano, ai theksoi se problemet që ka shtruar për qeverisjen e vendit nuk janë personale.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, ku ndodhen marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Nano? Dje gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zoti Nano, nuk i kushtoi ndonjë rëndësi të madhe rezolutës që miratoi kryesia e partisë suaj dhe ju bëri thirrje që ose tërhiquni nga akuzat politike dhe bashkëpunoni me të, ose jepni dorëheqjen... Ilir Meta: Unë dëshiroj të shpreh keqardhjen për çdo përpjekje për të zhvleftësuar rezolutën e kryesisë së Partisë Socialiste. Gjithashtu për t’i cilësuar ca vlerësime shqetësuese që unë kam ngritur për disa fenomene të qeverisjes sonë dhe njëkohësisht të funksionimit të Partisë Socialiste, dhe të forumeve të saj politike si forca kryesore qeverisëse në vend dhe si përpjekje për të zhvilluar kontradikta antagoniste apo për të bërë opozitë ndaj qeverisë. Besoj se mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste dhe rezoluta e miratuar me unanimitet dhe pa kundërshtim nga të gjithë anëtarët e kryesisë, është mesazhi më i rëndësishëm nga ky diskutim dhe nga kjo mbledhje që i fton të gjthë anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste, të gjthë përfaqësuesit e Partisë Socialiste në qeveri, të gjthë forumet e Partisë Socialiste dhe përfaqësuesit e saj në ekzekutiv në nivele të ndryshme për të zhvilluar një përgjegjësi më të madhe qeverisëse dhe politike, për të shumëfishuar përpjekjet në disa drejtime shqetësuese disa prej të cilave ishin edhe të përfshira në letrën time drejtuar kryesisë së Partisë Socialiste, por dhe shumë të tjera që u evidentuan gjatë këtij diskutimi. Këto përpjekje do të ndihmojnë për të përmirësuar më tej punën e qeverisjes, disa drejtime të rëndësishme jetike për vazhdimësinë e reformave dhe të integrimit evropian të vendit, por edhe në drejtim të plotësimit të gjthë atyre angazhimeve elektorale që ka marrë Partia Socialiste dhe për të cilat do të ketë edhe një ballafaqim elektoral në pak muaj në zgjedhjet e përgjithshme vendore. Kështu që kjo rezolutë na fton të gjithëve për të zhvilluar një frymë kolegjialiteti, partneriteti, konstruktiviteti dhe bashkëpunimi. Unë jam i vendosur për t’i shërbyer zbatimit të kësaj rezolute jo vetëm në qeveri por në të gjtha funksionet dhe në të gjithë forumet politike ku bëj pjesë unë.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, në rast të ndonjë ndryshimi të mundshem qeveritar nga ana e zotit Nano i cili do t’ju përfshinte edhe ju, si do të vepronit? Ilir Meta: Unë dëshiroj të kthehem edhe një herë tjetër te përpjekjet për të personalizuar raportet që kanë ardhur si rezultat i diskutimit të këtyre problemeve, si raporte personale Nano - Meta, jo vetëm që nuk i shërbejnë mirë qeverisjes së vendit dhe Partisë Socialste, por njëkohësisht ato nuk do të ndihmonin për të zgjidhur problemet për të cilat është angazhuar edhe rezoluta e Partisë Socialiste. Çdo përpjekje për të ndëshkuar një mendim ndryshe, një mendim në drejtim të mirëqeverisjes së vendit, të rritjes së përgjegjësisë politike të Partisë Socialiste dhe të forumeve të saj politike, të cilat duhet të thonë më me forcë dhe më me përgjegjësi fjalën e tyre në gjithë procesin e qeverisjes së vendit, sigurisht që do të jetë i papranueshëm. Politika e përjashtimit dhe politika e hakmarrjes politike dhe njëkohësisht çdo përpjekje për të instaluar një model autoritarist në qeverisje apo në forumet e Partisë Socialiste do të jetë i papranueshëm për mua, por jo vetëm për mua, pasi problemet që unë kam ngritur nuk janë probleme personale, ato janë shqetësime të cilat i ka ngritur edhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste në mënyrë të vazhdueshme, i kanë ngritur edhe përfaqësues tjerë politikë të Partisë Socialiste, i kanë ngritur edhe strukturat e ndryshme dhe forumet politike të kësaj force politike, i ka ngritur edhe opinioni publik, i ka ngritur edhe faktori ndërkombtar.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, qëndrimi juaj nuk gjeti ndonjë mbështetje të madhe nga udhëheqja e partisë. A ishte kjo e papritur për ju? A mendoni se zgjodhët momentin dhe mënyrën më të mirë për të sulmuar zotin Nano apo për të ngritur problemet që ju shqetësojnë? Ilir Meta: Unë jam shumë i kënaqur për mbështetjen që unë gjeta për shqetësimet që unë ngrita, për vlerësimin që iu bë rrugës në të cilën unë ngrita këto shqetësime, pra rrugës institucionle, për faktin që u bë një analizë e këtyre problemeve të qeverisjes sonë por edhe problemeve të tjera që dolën gjatë ketij diskutimi. Kështuqë do t’ju siguroja se jam shumë i kënaqur me vlerësimin, me përkrahjen që u është bërë këtyre shqetësimeve parimore që unë kam ngritur. Ndërsa për sa i takon problemit të kohës nëse unë zgjodha kohën më të mire apo kohën më të gabuar për të sulmuar kryeminstrin Nano dua t’ju siguroj se çdo përpjekje që bëhet për të analizuar kohën dhe vendin është e paragjykuar pasi unë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë synim, as strategjik dhe as të çastit për të sulmuar kryeministrin Nano apo qeverinë ku unë bëj pjesë, të cilën e konsideroj si qeveri të Partisë Socialiste, por kjo është rezultat i gjykimit tim të përshtatshëm që në këtë moment ishte e nevojshme për të zhvilluar një debat institucional edhe transparent.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, kryeministri ju kritikon për rezultate minimale, siç thotë ai, në detyrën e Ministrit të Jashtëm dhe thotë se ju keni hedhur vetëm akuza politike dhe nuk keni ofruar propozime konkrete për të përmirësuar qeverisjen. Si u përgjigjeni këtyre akuzave? Ilir Meta: Unë mendoj se rezoluta e Partisë Socialiste është përgjigjia më e mirë, pasi ajo përfshin aty angazhimin për të vënë në rrugën e zgjidhjes shumë nga shqetësimet që unë kam ngritur. Për sa i takon rezultateve të dobëta të Ministrisë së Punëve të Jashtme unë dua të shpreh keqardhjen për këtë konstatim i cili është në inkoherencë të plotë me vlersimet që vetë kryeministri Nano ka dhënë edhe pak javë më parë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar drejtuar nga Presidenti i Republikës, edhe në aktivitete të ndryshme. Mendoj që ky është një vlerësim i cili është edhe në kundërshtim më atë vlerësim të partnerëve ndërkombëtarë të cilët e kanë vlerësuar vazhdimisht politikën e jashtme të Shqipërisë. Të kritikohet roli i ministrisë se jashtme të Shqipërisë dhe të injorohet roli dhe kontributi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, unë mendoj se ky është një gjykim emocional dhe është një përpjekje e nxituar për të personalizuar qeverisjen dhe aq më keq dhe për të personalizuar edhe politikën e jashtme që është e papranueshme për mua pasi Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të zbatuar programin e qeverisë por njëkohësisht ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me presidentin e Republikës, me parlamentin, ne realizimin e një politike të jashtme me dimensione kombëtare.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, për shumë njerëz nuk është e lehtë të kuptohet natyra e konfliktit midis jush dhe zotit Nano: duket se ky konflikt nuk ka bazë ideologjike, nuk paraqet një përplasje midis dy vizioneve të ndryshme për të ardhmen. A nuk është kjo një luftë thjesht për interesa të pushtetit, duke marrë parasysh se në fund të vitit partia juaj do të zgjedhë kryetarin e saj, post për të cilin shumë mendojnë se ju aspironi? Ilir Meta: Në radhë të parë dua t’ju siguroj se unë asnjë herë nuk kam vënë interesat e vendit, stabilitetit të tij dhe të mazhorancës, dua të them nuk kam vënë interesat personale mbi këto interesa kaq të mëdha. Këtë e kam treguar në të kaluarën kur kam dhënë dorëheqjen edhe nga detyra e kryeministrit pikërisht pra për t’i shërbyer një zgjidhjeje më të madhe që garantonte stabilitetin e vendit, siç ishte kontributi që unë dhashë për zgjedhjen e presidentit në mënyrë konsensuale ashtu siç e kërkonte komuniteti ndërkombtar. Po kështu, dihet shumë mirë se zoti Nano u bë kryeministër edhe me mbështetjen time dhe të shumë të tjerëve. Pra unë asnjë herë nuk e kam parë veten time dhe nuk i kam parë interesat e mia si prioritare vënë në kurriz të interesave më të mëdhaja, pra atyre të stabilitetit të vendit apo të stabilitetit të maxhorancës. Kështu që nuk ka asnjë arsye për të pranuar edhe këtë aludim. Për mendimin tim, këto çështje janë të ndara nga çështja e Kongresit të Partisë Socialiste për më tepër që përpara Kongresit ne kemi zgjedhjet e pushtetit vendor dhe cilido që i lidh këto, pra përveç jush, sigurisht që shpreh apo fsheh vetëm shqetësimet e tij. Unë nuk i shikoj asnjëherë gjërat ne një afat kaq afatshkurtër, as deri në tetor, as deri në dhjetor dhe as deri në vitin 2005. Unë mendoj se këto fenomene dhe këto shqetësime që unë kam ngritur, të cilat janë parimore të cilat nuk është se kanë lindur thjesht gjatë periudhës së fundit të qeverisjes së vendit, janë të trashëguara dhe duhet të kurohen njëherë e mirë sepse në këtë mënyrë do të garantojmë atë ritëm të reformave dhe atë ritëm të integrimit evropian i cili do t’i shërbejë vendit dhe do të na bëjë nder edhe neve socialistëve.//kk//