Lidhje

Kryeministri Nano: I qëndroj kërkesës që zoti Meta të japë dorëheqjen - 2003-07-02


Intervistë e Kryeminsitrit të Shqipërisë Fatos Nano për Zërin e Amerikës

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, kryesia e Partisë Socialiste ka zhvilluar dy takime, ka miratuar një rezolutë, e cila u mbështet edhe nga grupi juaj parlamentar. Cili është synimi i kësaj rezolute. A do të shërbejë ajo si një armëpushim i përkohshëm apo marrëdhëniet tuaja me zotin Meta janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme?

Kryeministri Nano: Besoj se këto dy elementë të pyetjes tuaj duhen konsideruar veçmas sepse kryesia e Partisë Socialiste ishte në një arsyetim politik që është koherent me kalendarin e vitit dhe me përgjegjësitë e saj lidhur me zgjedhjet vendore dhe me problemet e përmirësimit të qeverisjes. Dhe rezoluta pasqyron saktësisht aftësinë e Partisë Socialiste dhe të institucioneve drejtuese të saj për të integruar të dy problemet dhe për të dhënë edhe analizat qofshin edhe kritike të aspekteve të ndryshme të qeverisjes aktuale në funksion të pëmirësimeve që garantojnë një veprim solidar dhe të organizuar që i shërben një fushate elektorale fituese për Partinë Socialiste dhe natyrisht në funksion të një proçesi zgjedhor korrekt pa deformime të cilat besoj se janë më pak të mundshme për shkak të përmirësimeve në kodin zgjedhor por të miratuara me konsensus midis dy blloqeve të mëadh politike. Nga kjo pikëpamje raporti i Kryeministrit Nano me Zëvëndës-kryeministrin Meta besoj se nuk mund të afektojë angazhimin e Partisë Socialiste dhe të Kryesisë së saj për veprimin politik zgjedhor, për veprimin qeverisës dhe për angazhimin në të dy komponentët: zgjedhje korrekte dhe fitore në zgjedhje. Natyrisht marrëdhëniet e mia me Zëvëndës-kryeministrin ishin në objekt të analizave politike të kryesisë dhe dokumenti politik që dikush e ka cilësuar të natyrës së OSBE-së konkludoi këtë analizë politike jep të gjithë hapësirën dhe instrumentat e mundshme për të kapërcyer diskordancat personale në funksion të një konvergjence politike koherente.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano ju flisni për pëmirësim të qeverisjes, por duke marrë parasysh mosmarrëveshjet e thella në gjirin e Partisë Socialiste, a mund të qeverisë Partia Socialiste në mënyrë të efektshme?

Kryeministri Nano: Partia Socialiste ka 6 vjet që qeveris që krijon efekte në qeveris, që krijon efekte në qeverisje, që maten me ndryshime konkrete në funksionimin e institucioneve, të jetës ekonomike dhe në gjendjen e stabilitetit si dhe të qetësisë së shoqërisë shqiptare në raport me korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet dhe natyrisht partneritetin me vendet fqinje dhe faktorët e rëndësishëm ndërkombëtare që n’a asistojnë në këtë tranzicion. Pra, nuk besoj se ka ndonjë krizë të qeverisjes. Analiza politike që sapo bëmë, gjithashtu vlerëson se për shkak të stabilitetit qeverisës dhe të rezultateve të progresit të konstatuar edhe nga partnerët ndërkombëtar në 11 muaj e fundit, janë të gjitha premisat për të vazhduar prodhimin e rezultateve në dobi të shtetasve dhe të monitorueshme edhe nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, OSBE-ja dhe organizata të tjera të specializuara që na asistojnë në kurimin e dobësive të sistemit apo të shoqërisë shqiptare në një rajon problematik në të kaluarën dhe nga kjo pikëpamje unë besoj se kemi me çfarë rezultatesh dhe angazhimesh të komunikojmë dhe me zgjedhësit shqiptarë në muajt që vijnë.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano ekziston një mendim i përgjithshëm se problemet e ngritura nga Zoti Meta janë legjitime dhe mbi të gjitha ai i ngriti këto probleme në mënyrë institucionale. A mos reaguat ju më tepër sesa duhet me sulmet e ashpra ndaj numrit dy në kabinetin tuaj duke kërkuar edhe dorëheqjen e zotit Meta?

Kryeministri Nano: Unë nuk besoj se kam sulmuar zotin Meta, por e kundërta është e vërtetë realisht sepse zoti Meta ka ngritur probleme më pak sesa unë për qeverisjen. Unë kam vënë “pikat mbi i” për dobësitë e sistemit, të institucioneve dhe kapaciteteve të administrimit publik në Shqipëri qysh para 6 muajsh dhe zoti Meta nuk ka bërë ndonjë gjë përveçse, ka ndërtuar një sens opozite politike ndaj qeverisjes ku bën pjesë dhe ka hedhur në opinionin shqiptar akuza politike ndaj qeverisë së tij, ndaj qeverisë së Partisë Socialiste ku ai është edhe një nga drejtuesit. Nga kjo pikëpamje unë nuk besoj se zoti Meta ka formuluar ndonjë opsion përmirësues për qeverisjen, përkundrazi ka formuluar një opsion as konkurues për veten si oponent politik brenda partisë socialiste dhe qeverisë dhe unë jam akoma duke pritur që zoti Meta të prononcohet midis alternativës të absorbimit të opozitës së tij politike brenda qeverisë duke u angazhuar politikisht dhe publikisht për të bashkëpunuar në suksesin qeverisës dhe elektoral të partisë ku bën pjesë ose të largoget, të japi dorëheqjen për shkak se ka zgjedhur opisonin e konkurentit socialist brenda qeverisë dhe kjo nuk mund të bashkëjetojë me aksionin ekzekutiv, aksionin e reformave, aksionin e luftës kundër krimit, trafiqeve dhe të integrimit që qeveria ku zoti Meta është Zëvënës-kryeministër vazhdon të jetë e monitoruar nga publikë dhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Me një fjalë Zoti Nano, ju i qëndroni ende kërkesës që Zoti Meta të japë dorëheqjen.

Kryeministri Nano: Natyrisht i qëndroj kësaj kërkese, nëse zoti Meta nuk është në gjendje të qetësohet, të absorbojë opozitën politike ndaj qeverisë së tij dhe të rishfaqet si një nga protagonistët e zhvillimit politik dhe europian që ka krijuar Partia Socialiste në Shqipëri në 6 vjetët e fundit. Nëse jo, natyrisht duhet të largohet sepse nuk besoj se unë jam më i keq se Toni Blair apo zoti Meta është më i keq sesa Rubin Kuku.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta ka bërë të qartë se ai nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Në qoftë se ai nuk jep dorëheqjen, a parashikoni ndonjë krizë institucionale?

Kryeministri Nano: Unë zotëroj të gjithë qetësinë dhe autoritetin politik, ligjor dhe institucional që të qetësoj çdo aventurë apo bartës aventurash në qeveri apo në maxhorancën aktuale duke komunikuar në mënyrë demokratike me partinë dhe aleatët e saj në koalicionin qeverisës, me Presidentin e Republikës dhe natyrisht në mënyrë shumë transparente edhe me opozitën në Kuvendin e Shqipërisë për të ruajtur vazhdimësinë e funksionimit të institucioneve demokratike të vendit në një stinë elektorale dhe për të nxitur dhe ndihmuar gjithashtu çdo konkurent apo oponent që të afishohet për karierë jo në kundërshtim me interesat kombëtare dhe të integrimit të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, edhe një pyetje ju lutem. Me gjithë përparimin e arritur nga qeveria juaj, përparim që është njohur si brenda vendit edhe jashtë, Shqipëria ende ndeshet me sfida tepër të vështira dhe puna e qeverisë lë shumë për të dëshiruar. A pritet ndonjë ndryshim, ndonjë masë për të përmirësuar gjendjen dhe qeverisjen e vendit tuaj?

Kryeministri Nano: Dëshirat për progres në Shqipëri janë të mëdha, që stimuli më i madh për qeverinë, për maxhorancën, për institucionet e shtetit demokratik dhe ligjor në Shqipëri, janë aspiratat e njerëzve apo padurimi i tyre për të parë një vend më të begatë, më të sigurtë, më të hapur dhe më të integruar. Dhe ky është instrumenti kryesor me të cilin qeveria jo vetëm ndërton por edhe korrigjon programet dhe aksionet e veta ekzekutive. Ky është stimuli kryesor që maxhoranca ndërton dialog dhe bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me opozitën për të përshpejtuar zhvillimin dhe integrimin e vendit. Prandaj është krejtësisht e natyrshme që edhe dëshira e bashkatdhetarëve, ju jeni një bashkatdhetar shumë i shquar për t’u konsideruar si përfaqësues i aspiratave të shqiptarëve kudo që janë, është pjesë e këtij stimuli dhe nxitje për përmirësime dhe aksione reformatore më efikase. Prandaj do t’ju ftoja të kuptonim se ne nuk ndjehemi vetëm në këtë angazhim për progres dhe se të gjitha kontributet që vijnë nga brenda dhe nga jashtë vendit për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në institucionet euro-atlantike janë të mirëpritura dhe të pazëvëndësueshme.

XS
SM
MD
LG