Lidhje

Berluskoni ngjall polemika në Evropë - 2003-07-02


Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka ngjallur një debat të madh në Evropë pasi i tha një ligjvenësi gjerman se do të bënte mirë të luante rolin e një roje kampi nazist në ndonjë film.

Zoti Berluskoni i bëri këto komente gjatë një fjalimi të mërkurën në Parlamentin Evropian, një ditë pasi Italia mori presidencën e radhës të Bashkimit.

Disa euro-deputetë mbanin në duar parrulla proteste ndërsa zoti Berluskoni filloi të fliste duke parashtruar objektivat e Italisë për bllokun evropian.

Në përgjigje të një kritike të deputetit gjerman Martin Shulz, zoti Berluskoni iu drejtua atij duke i thënë se ai do të ishte kandidati i përkryer për rolin e një rojeje kampi nazist të një filmi që është duke u xhirruar në Itali.

Presidenti i parlamentit evropian Pat Koks i kërkoi zotit Berluskoni të kërkonte ndjesë për komentin, gjë që zoti Berluskoni nuk pranoi ta bëjë, duke thënë se komenti i tij ishte thjesht një shaka.

Disa parlamentarë evropianë e kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e Italisë për të drejtuar Bashkimin Evropian, për shkak të problemeve të zotit Berluskoni në Itali.

Kryeministri italian ndeshet në vendin e tij me akuza për korrupsion.

Të hënën gjykatësit italianë iu drejtuan Gjykatës së Lartë të vendit për të interpretuar kushtetuetshmërinë e një ligji të ri që i jep imunitet kryeministrit Berluskoni përsa kohë që është në pushtet.

Ky ligj u miratua muajin e kaluar duke bërë që të ndërpritej procesi gjyqësor që kishte filluar ndaj kryeministrit nën akuzat se u kishte dhënë rryshfete gjykatësve në vitet ’80.

XS
SM
MD
LG