Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se përkrahës të udhëheqësit irakian të përmbysur nga pushteti, Sadam Husein, po veprojnë si një rrjet terrorist në radhët e popullatës irakiane.
Sekretari Rumsfeld tha se forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara po përdorin të gjitha forcat për të mposhtur mbeturinat e ish regjimit irakian. Ai shtoi se çlirimi i Irakut ka përfunduar, por lufta kundër terrorizmit vazhdon. Ai hodhi poshtë sugjerimet e Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një moçal në Irak.
Zoti Rumsfeld i bëri këto komente dje, ndërsa forcat amerikane vërshuan në Irakun qëndror në kuadër të ditës së dytë të një operacioni të ri në përpjekje për të kapur grupe të armatosura, që fshihen pas sulmeve thuajse të përditshme kundër trupave amerikane dhe britanike.
Po dje, forcat amerikane në Iraq arrestuan administratorin e emëruar nga Shtetet e Bashkuara për qytetin e shenjtë të Naxhafit nën akuzat për rrëmbim personash dhe korrupsion.
Në një zhvillim tjetër, kleriku i lartë shiitë irakian, Ajatollah Ali al-Sistani, lëshoi dje një dekret fetar, në të cilin thoshte se një këshill kushtetues i zgjedhur nga zyrtarët amerikanë është i papranueshëm. Kleriku tha se zgjedhjet e përgjithshme duhet ti paraprijnë hartimit të një kushtetute për Irakun pas Sadam Huseinit.
Po dje, Shtetet e Bashkuara i kthyen Sirisë pesë roje kufitare që u plagosën kohët e fundit gjatë një sulmi amerikan në kufirin mes Sirisë dhe Irakut. Nuk janë njoftuar hollësi rreth dorëzimit të rojeve kufitare.
//ze//