Më 29 qershor 1920, vetëm pak ditë, pasi kishte fituar emërimin si kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, Uorren G. Harding regjistroi njërin prej fjalimeve të para të fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme.
Në fjalimin me titull ”Amerikanizëm”, ai kritikoi propozimin për anëtarësimin e Shteteve të Bashkuara në Lidhjen e Kombeve. Gjatë këtij viti, nga kompania e incizimeve Forumi i Amerikës u regjistrua një seri fjalimesh të kandidatëve presiencialë.
”Republikanët e senatit ndaluan shitjen e emrit dhe të influencës amerikane, që u propozuan në shkëmbim për një vend në qeverinë e bashkuar të botës. Partia jonë synon të ruajë trashëgiminë e kombësisë amerikane, të pacënuar dhe të pashitur”,- tha Harding.
Fushata e vitit 1920, gjatë së cilës republikani Harding mundi demokratin James M. Cox, do të ishte gara e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara, gjatë së cilës zërat e kandidatëve dhe pikëpamjet e tyre do të përhapeshin përmes regjistrimeve të fonogramëve. Fushatat elektorale do të transformoheshin shumë shpejt nga mjete të tjera më të fuqishme komunikimi, si radio dhe televizioni.
Më 29 qershor të vitit 1972, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shfuqizoi dënimin me vdekje, siç zbatohej deri atëhere. Në çëshjen Furman kundër Georgia-s, gjykata më e lartë e vendit deklaroi se dënimi me vdekje që atë kohë zbatohej në Shtetet e Bashkuara ishte një ndëshkim mizor dhe i pazakontë që binte në kundërshtim me shtojcën e Tetë të Kushtetutës.
Sipas gjykatës, dënimi kapital ishte përdorur në mënyrë arbitrare për krime të ndryshme dhe kryesisht kundër zezakëve dhe të varfërve. Megjithatë, 4 vjet më vonë, në vitin 1976, Gjykata e Lartë deklaroi se dënimi kapital në thelb nuk ishte mizor dhe i pazakontë.
Gjykata e mbështeti dënimin me vdekje vetëm në rastet e proceseve gjyqësore të shkallës së dytë. Në këtë proces dënimi përcaktohet në një gjyq të dytë, pasi i akuzuari shpallet fajtor.// lk //