Lidhje

Ali Ahmeti i bën thirrje diasporës shqiptare të investojë në Maqedoni - 2003-06-30


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti ndodhet për një vizitë këtu në Shtetet e Bashkuara gjatë së cilës do të takohet me zyrtarë amerikanë dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan. Zoti Ahmeti i dha të hënën një intervistë Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Dy vjet më pare, as mund të mendohej se ju do të vinit për vizitë në Shtetet e Bashkuara. Si arritët ta realizoni këtë transformim unikal, nga një udhëheqës kryengritës në një politikan që ka dalë si një ndër përkrahësit më të fortë të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve në vendin tuaj?

Ali Ahmeti: Sigurisht që ne jemi përpjekur për liri, pavarësi, demokraci dhe drejtësi të popullit shqiptar në Jugosllavi dhe sigurisht që njerëzit e shtypur siç jemi ne shqiptarët nuk mendojmë keq për popujt e tjerë. Kështuqë vetë përndjekjet, vetë persekutimet na kanë mësuar që ne gabimet e të tjerëve të mos i bëjmë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, çfarë shpresoni të realizoni gjatë kësaj vizite këtu në Uashington?

Ali Ahmeti:Sigurisht që kam një sërë takimesh, në Shtëpinë e Bardhë, në Pentagon, në Departamentin e Shtetit dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kam takuar edhe senatorin Bob Dole, të cilit i kam shprehur edhe falenderimet për ndihmën që u ka dhënë shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, për qeverinë e koalicionit që u formua para nëntë muajsh ka patur shumë dyshime, sidomos në fillim. Deri në çfarë shkalle është shtrirë partneriteti midis partisë suaj dhe partisë kryesore në këtë koalicion dhe a mund të thuhet se ju po bashkëqeverisni?

Ali Ahmeti: Në radhë të parë ne jemi përcaktuar të mos bëhemi servilë dhe puthadorë, por jemi përcaktuar mbi bazën e asaj se çfarë duhet të realizojmë ne si parti dhe ne kemi hyrë jo për të ndarë interesat personale, por për të mbrojtur dhe për të jetësuar interesat e përgjithshme, që kërkojnë edhe vetë shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, megjithë përparimet që janë bërë gjatë këtyre muajve, sipas një ankete të fundit të Institutit Republikan Amerikan, pyetjes se a po ecën Maqedonia në drejtimin e duhur, shumica, 45 përqind iu përgjigjën “JO” dhe vetëm 16 përqind u shprehën se vendi me të vërtetë po ecën në drejtimin e duhur. A jeni i shqetësuar nga kjo ndjenjë pesimizmi mes popullsisë?

Ali Ahmeti: Duhet të kihet parasysh se situata është mjaft e vështirë përsa i përket anës ekonomike, kështuqë ne na duhet një qasje mjaft serioze se si të përmirësojmë pozitën sociale të njerëzve në Maqedoni. Këtu duhet të kemi një komunikim mjaft të hapur me diasporën shqiptare. Ne kemi një diasporë shumë të fuqishme, por jo të thirremi në folklorizmin patriotik, sepse askush djersën e vet nuk e rrezikon, mirëpo unë mendoj se ne punojmë mjaft seriozisht andej, kemi biseduar edhe në nivelet më të larta shtetërore, si me kryeministrin dhe udhëheqës të tjerë, që të bëhen takime të veçanta me njerëz të diasporës dhe t’u ofrojmë programe konkrete dhe ata realisht ta shohin gjendjen brenda për brenda, domethënë këto si hapa fillestare ne mendojmë që t’i bëjmë dhe pas investitorëve shqiptarë mund të vijnë edhe investitorë të tjerë. Kur një shqiptaro-amerikan investon në Maqedoni, sigurisht që do të investojë edhe një amerikan e kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: A i ka qeveria aktuale në Maqedoni, aftësitë dhe mjetet e nevojshme për t’i zgjidhur këto probleme ekonomike?

Ali Ahmeti: Sigurisht që kapacitet ka, por duhet të ofrojmë edhe kuadro të cilat kanë vepruar dhe kanë fituar një eksperiencë të jashtëzakonshme si në shtetet e Evropës, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështuqë këta njerëz vërtet vlerat që i kanë fituar në këto shtete mund t’i demonstrojnë në atdheun e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, nëntë muaj pas ardhjes në pushtet, partia juaj dhe ju vetë personalisht, vazhdoni të gezoni një mbështetje të madhe në radhët e shqiptarëve të Maqedonisë. Në të njëjtën kohë është shtuar edhe pakënaqësia. A do të jeni ju në gjendje ta ruani këtë mbeshtetje, a ekziston shqetësimi tek partia juaj se komuniteti shqiptar do t’i kthejë krahët partisë suaj dhe do të mbështesë zgjidhje ose propozime më radikale?

Ali Ahmeti: Ne jemi mjaft transparentë. Para disa ditësh ne kemi bërë një raport mjaft të gjerë për punën 6 mujore të qeverisjes dhe për punën një vjeçare të Bashkimit Demokratik për Integrim, me çka të gjithë ministrat, deputetët, sigurisht që tani që unë flas këtu, ata janë në terren andej me materialet konkrete, me faktet konkrete dhe do të marrim vërejtjet nga elektorati, nga qytetarët të themi më mirë, sepse për ne kanë votuar rreth 75 për qind të shqiptarëve dhe nuk mund t’i ndajmë duke thënë elektorati ynë, apo i ndonjë partie tjetër, sepse ne punojmë për të gjithë qytetarët, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, ditët e fundit është folur shumë për Universitetin e Tetovës. Thuhet se tani ky problem është në rrugën e zgjidhjes...

Ali Ahmeti: Sigurisht, ne jemi përpjekur që të mos bëjmë premtime të kota. Ne jemi përpjekur dhe motoja kryesore e jona ka qenë që ne veprojmë, qytetarët le të gjykojnë. Nuk kemi dashur të manipulojmë me ndjenja, sepse njëra nga ndjenjat është edhe Universiteti i Tetovës, kështuqë unë jam mëse i sigurtë që brenda pak ditësh ligji që kaloi në qeveri para disa ditësh do të kalojë edhe në parlamentin e Maqedonisë, kështuqë së shpejti shqiptarët në Maqedoni do të kenë edhe të zyrtarizuar Universitetin Shtetëror të Tetovës. //kk//

XS
SM
MD
LG