Lidhje

Ndalohet dhe lirohet pas disa orësh Hashim Thaçi - 2003-06-30


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur për disa orë i ndaluar në aeroportin e Budapestit, në Hungari dhe pastaj është liruar, bënë të ditur zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Jakup Krasniqi, ndalimi është bërë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë në vitin 1993, mbi bazë të të cilit zoti Thaçi qe dënuar në mungesë me dhjetë vjet heqje lirie në vitin 1997. Sipas këtij fletarresti, tha zoti Krasniqi, Hashim Thaci do të duhej të dorëzohej tek autoritetet serbe në një afat prej pesë orësh.

Ndërkohë kryeministri I Kosovës, Bajram Rexhepi ka kërkuar ndërhyrjen e shpejtë të shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara Michael Steiner dhe ky i fundit, sipas zëdhënësit të tij Simon Haselock, ka vënë kontakt me Ministrinë e Jashtme të Hungarisë.

Ai tha se “si rrjedhojë e kësaj ndërhyrjeje, dhe bisedimeve që besohet se hungarezët kanë zhvilluar me Ministrinë e Brendshme të Serbisë, prej nga edhe kanë rrjedhur keqkutpimet, zoti Thaçi është I lirë në rrugë për në Paris”.

Jozyrtarisht mësohet se ndërhyrje ka pasur edhe nga Ministria e Jashtme e Francës me ftesë të zyrtarëve të së cilës, zoti Thaçi ishte nisur për një vizitë dyditore në Paris, prej nga do të udhëtojë më pas për në Bruksel, ku do të takohet me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana. //kk//

XS
SM
MD
LG