Zëvendëskryeministri e ministri i jashtëm, Ilir Meta, deklaroi të shtunën se do të vazhdojë me këmbëngulje përpjekjet për regullimin e defekteve të qeverisjes socialiste që rrjedhin prej “personalizimit që i ka bërë pushtetit kryeministri Fatos Nano”. Zoti Meta tha se nuk do të jepte dorëheqjen nga posti.
“Dorëheqja është një opsion që nuk ekziston. Nuk shikoj asnjë arsye që të jap dorëheqje nga detyrat që më ka ngarkuar PS. Sepse jam i bindur se problemet që kam ngritur janë të drejta e kërkojnë zgjidhje. Çdo dorëheqje në këto momente do ta konsideroja si një hapje të rrugës për personalizimin absolut të pushtetit nga kryetari i PS dhe për eleminimin e Këshillit të Ministrave si një organ ligjor kolegjial”, tha zoti Meta.
Komentet e tij erdhën një ditë pas mbledhjes së ashpër të kryesisë së Partisë Socialiste, ku zoti Nano dhe zoti Meta shkëmbyen polemika për disa orë rresht lidhur me kritikat për ngadalësimin e reformave, keqësimin e marrëdhënieve të shtetit me shtypin dhe raportimet e OSBE dhe BE.
“Janë shumë probleme të cilat ekzistojnë dhe kërkojnë përgjegjësi për t’u ballafaquar me to e për t’i zgjidhur. Janë probleme që nëse nuk reflektojmë sot ndaj tyre me pjekuri, jo vetëm që do të rriten, por edhe do të na zënë rrugën e integrimit europian e do të rrezikojnë aspiratat tona”, - tha zoti Meta.
Një ditë më parë kryeministri Nano hodhi poshtë akuzat e zotit Meta, duke u shprehur se qeveria ka reaguar ndaj kritikave të institucioneve perëndimore.
“Përpara se këto probleme e pengesa të evidentoheshin nga raportet e OSBE-së dhe BE-së, ka qenë kryeministri që i ka vlerësuar këto probleme në qeveri, grupin parlamentar, kryesi, KPD, seancë parlamentare për të përcaktuar rrugëzgjidhje të bashkërenduara institucionale” - tha zoti Nano.
Ai fajësoi politikanë socialistë për bashkimin në klane me interesa të vogla personale që dëmtojnë punën e qeverisë.
“Pre e qarqeve që kanë humbur favore joligjore, duket se grupe të tilla në një harmoni të habitshme me opozitën, verbërisht dëshirojnë dhe punojnë që ne të humbasim zgjedhjet, sepse, siç shprehen: ‘Vetëm në këtë mënyrë mund t’i marrin partinë Fatos Nanos’. Këto naivitete primitive kam 12 vjet që i dëgjoj e i duroj bashkë me ju dhe së bashku do t’i përballojmë edhe kësaj radhe”, tha zoti Nano.
Kryetari i PS, Fatos Nano u përpoq të ekuilibronte forcat Brenda partisë duke e emëruar zotin Meta zëvendëskryeministër e ministër të jashtëm menjëherë pasi ai dha dorëheqjen nga kreu i qeverisë në fund të janarit 2002.
Zoti Nano ndërmori një fushatë sulmesh ndaj ministrave më të rëndësishëm të qeverisë Meta, derisa e rrëzoi të gjithë kabinetin. Këto zhvillime kanë mbajtur hapur një konflikt politik mes zotit Nano dhe zotit Meta si dhe pasuesve për një kohë të gjatë.//kk//