Lidhje

KOSOVË: Arrestohen dhe më pas përjashtohen edhe nga puna dy pjestarë të TMK-së, përgjegjës për rrembimin e një personi - 2003-06-18


Dy pjestarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë arrestuar për shkak të rrëmbimit dhe keqtrajtimit të një shqiptari në komunën e Obiliqit afër Prishtinës. Pak orë pas njoftimit për këtë rast, ata janë përjashtuar nga këto trupa me vendim të komandantit të tyre gjeneral Agim Ceku

Zyrtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara bënë të ditur për arrestimin e dy pjestarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, nën dyshimet se janë përgjegjës për një rrëmbim në komunën e Kastriotit ish Obiliqit jo fort larg Prishtinës. Ndërkohë, ata janë përjashtuar nga këto trupa me urdhër të vecantë të komandantit të tyre gjeneral Agim Ceku.

Zëdhënësi i policisë, Derek Chappell, tha e të dy personat janë në paraburgim, meqë mbrëmë, kanë rrëmbyer me forcë një shqiptar, i cili është rrahur dhe pastaj është liruar. Pas hetimeve, tha ai, është bërë dentifikimi dhe arrestimi I autorëve të këtij rrëmbimi. Zoti Chappell tha se “dy të arrestuarit janë pjestarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe aktualisht po mbahen në burg për të ndricuar motivet e një veprimi të tillë, ndërsa policia ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit prej 30 ditësh”. Por, zoti Chappell nuk deshi të shpalosë hollësi të tjera rreth këtij rasti dhe as nuk bëri të ditur identitetin e të arrestuarëve.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse konfirmoi nëpërmjet një komunikate për opinion, se të arrestuarit janë Beqir Prokshi dhe Sami Kodra. Duke e dënuar ashpër një veprim të tillë, të cilin e konsiderojnë “një akt kriminal, Trupat Mbrojtëse distancohen plotësisht nga individët, qe bëjnë vepra të tilla, të cilat janë në kundërshtim të plotë më Kodin Disiplinor, normat e sjelljes dhe etikën e një pjesëtari të TMK-së”, thuhet në njoftim. Njëkohësisht është publikuar vendimi i komandantit të përgjithshëm të këtyre trupave gjeneral Agim Ceku për largimin e menjëhershëm nga TMK-ja të dy pjesëtarëve të perfshire ne incident. “Pa marrë parasysh se ky është një akt individual, ai ka dëmtuar dukshëm edhe imazhin dhe zhvillimin e metutjeshëm të TMK-së”, thuhet në komunikatë, në të cilën nënvizohet se “për ata persona qe bien ndesh më ligjin nuk do të ketë vend në TMK”.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës janë pasardhëse të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe janë themeluar pas procesit të c’militarizimit dhe transformimit të kësaj të fundit. Sipas dokumentave ndërkombëtare dhe Kornizës Kushtetuese ato janë një organizatë civile, por shqiptarët e Kosovës I cilësojnë ato si bërthamë të ushtrisë së ardhshme te saj. //ss//

XS
SM
MD
LG