Lidhje

Në Iran vazhdojnë protestat kundër qeverisë - 2003-06-17


Studentët në Teheran zhvilluan protesta anti-qeveritare për të shtatën natë me radhë, por numri i pjesëmarrësve ishte shumë më i vogël se në protestat e mëparshme.

Forcat iraniane të rendit nuk po i lejojnë grupet që mbështesin politikanët e vijës së ashpër qeveritare qe t'u afrohen protestuesve. Këta kundërprostesues, duke mbajtur shkopinj në duar sulmuan të shtunën studentët në konvikte. Të martën në mëngjes, gjendja përreth Universitetit të Teheranit, skenë e demonstratave anti-qeveritare, ishte përgjithësisht e qetë.

Ndërkohë ka njoftime për trazira edhe në disa qytete të tjera të Iranit. Qeveria klerikale e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitjen e demonstratave të fundit.

Operacion i policisë franceze kundër opozitës iraniane

Policia franceze ndërmori të martën një operacion në shkallë të gjerë në rajonin e Parisit kundër anëtarëve të grupit opozitar iranian, Muxhahedinët e Popullit, duke arrestuar të paktën 165 persona.

Operacioni, në të cilin morën pjesë rreth 1300 policë, u shtri në zyrat kryesore dhe në 12 objekte të tjera të kësaj organizate në veri dhe në perëndim të Parisit. Polica njofton se ka kapur dokumente të shumta dhe rreth 1 milion e 300 mijë dollarë. Zyrtarët thonë se gjykatësi e ka klasifikuar organizaten Muxhahedinët e Popullit, si një organizatë kriminale që synon të përgatisë dhe të financojë akte terroriste.

Ministri i Brendshëm francez tha se grupi kërkonte ta bënte Francën bazë të vetën, gjë që autoritetet franceze nuk mund ta pranonin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar grupin iranian Muxhahedinet e Popullit si organizatë terroriste. Kjo organizatë përpiqet prej 20 vjetësh të rrëzojë regjimin klerik të Iranit.//ad//

XS
SM
MD
LG