Një delegacion amerikan është nisur për në Lindjen e Mesme në përpjekje për të shpëtuar dështimin e planit ndërkombëtar të paqes, i njohur si Harta Rrugore. Plani i paqes është minuar nga aktet e dhunshme të javës së fundit, gjatë të cilave kanë humbur jetën më shumë se 60 veta.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për përmbajtje nga Izraeli dhe për përfundimin e sulmeve palestineze pas një seri incidentesh të dhunshme, të cilat shkaktuan daljen thuajse jashtë kontrollit të konfliktit 33 mujor.
I dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, John Wolf, mbrrin në rajon këtë fund jave. Fillimisht ishte në plan që ai të kryesonte një ekip vëzhguesish, që do të mbikqyrnin zbatimin e hapave për shtimin e besimit nga të dyja palët.
Tani, zoti Wolf ka më shumë të ngjarë të përqëndrohet në përpjekjet për të ulur tensionet në takimet e tij me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë. Madje ka shenja që kjo mund të arrihet.
Radio Izraeli bëri të ditur se shefi i sigurimit palestinez, Mohamed Dahlan, do të takohet me zyrtarë të lartë të ushtrisë izraelite për të diskutuar rreth mënyrave për uljen e tensioneve, përfshirë edhe një propozim që Izraeli të tërhiqet nga disa pjesë të Rripit të Gazës në pozicionet, që kishte para fillimit të luftimeve në shtator të vitit 2000.
Një zyrtar i lartë palestinez u citua nga mjetet e shtypit të ketë thënë se Izraeli ofroi gjithashtu që të ndalojë operacionet ushtarake për 3 ditë në mënyrë që të përmirësohet atmosfera.
//ze//