Muajin e ardhshëm, Italia do të marrë presidencën e rradhës të Bashkimit Europian. Kryeministri italian Silvio Berluskoni do të bëhet figura kryesore politike evropiane pavarësisht nga akuzat për lidhjet e tij me mafian, rryshfete, shkelje financiare dhe shkelje të tjera ligjore.
Këngëtari italian Xhovanoti i ka kushtuar një këngë Botës së Pestë e cila është më e hapur dhe e ndershme sesa bota e sotme. Adhuruesit e repistit italian janë të rinj të cilët janë lodhur nga korrupsioni që ka mbërthyer jetën politike dhe shoqërore të Italisë.
“Njerëzit i japin rryshfet rojes për të parë një zyrtar. Ata i japin rryshfet zyrtarit për të marrë më shpejt ose për të përfituar pa të drejtë patentën e makinës”, thotë Emilio Viano profesor i Drejtësisë, Ligjit dhe Njohurive Shoqërore në Universitetin Amerikan në Uashington. Zoti Viano aktualisht ndodhet në Evropë duke dhënë leksione.
“Krimi i organizuar ka mbërthyer jetën politike të Italisë dhe kontrollon shumë aspekte të jetës duke e bërë shumë të vështirë ushtrimin e funksioneve politike ose përfshirjen në biznes pa qënë i implikuar sado pak me krimin e organizuar,” thotë zoti Viano.
Në vitin 2001, për të dytën herë, që nga viti 1994, një qeveri konservatore e drejtuar nga pronari i madh i mediave Silvio Berluskoni erdhi në pushtet në Itali. Pas zgjedhjes së tij kryeministër më 1994, ai u detyrua të japë dorëheqjen pas akuzave për korrupsion dhe për lidhje me krimin e organizuar. Por, për ironinë më të madhe, një lëvizje kundër korrupsionit e solli përsëri në pushtet zotin Berlsukoni.
Në 1992, një grup prokurorësh, filluan një fushatë të madhe kundër korrupsionit e njohur si “Duart e Pastra”. Shumë drejtues të lartë partish dhe zyrtarë qeveritarë u futën në burg. Lufta shtetërore kundër korrupsionit tronditi bazat e partive tradicionale si Kristian Demokratët dhe Socialistët duke i dhënë mundësinë zotit Silvio Berluskoni të ngrihet si një drejtues karizmatik. Ai fitoi zgjedhjet e vitit 1994 falë koalicionit që partia e tij Forza Italia formoi me neo-fashistët dhe një parti tjetër radikale. Ai përdori median për të rritur imazhin tij përballë votuesve italianë.
Antonio Guzeti një afarist italian këtu në Uashington, thotë se zoti Berluskoni përcolli mesazhin e duhur, në kohën e duhur.
“Berlusconi nuk është një politikan tradicional që ka një mesazh ideologjik apo që mbështet në një sistem ideologjik. Ai arriti të përdorë modelin e tij të suksesshëm prej afaristi edhe në politikë,” thotë zoti Guzeti.
Berluskoni është marrë me biznes që në moshën 25 vjeçare. Në fillim ai u mor me ndërtime. Gjatë viteve ’70, ai krijoi një kompani të fuqishme shtypi, e 12-ta në botë, për nga madhësia, me disa stacione televizive. Në kohën kur hyri në politikë ai ishte bërë njeriu më i pasur në Itali dhe një nga 20 njerëzit më të pasur të botës. Profesor Viano thotë se zoti Berluskoni e ka përdorur pushtetin financiar dhe politik të miratojë ligje që favorizojnë biznesin dhe që e mbrojnë atë nga akuzat.
Në vitin 1991, zoti Berluskoni legalizoi monopolin e tij mbi median me ndihmën e mikut të tij, ish kryeministrit Betino Kraksi, i cili mbështeti ligjin për ri-organizimin e transmetimeve televizive. Ky ligj favorizoi zotin Berluskoni dhe mediat e tij duke qenë se në atë kohë nuk kishte stacione të tjera televizive të cilat kishin aftësinë të transmetonin programe mbarë kombëtare.
Me zgjedhjen e tij si kryeministër në vitin 1994, zoti Berluskoni vuri nën kontroll edhe stacionin televiziv shtetëror RAI me 3 stacione si dhe bleu disa nga gazetat kryesore të vendit. Kohët e fundit zoti Berlusconi është akuzuar se organizoi dorëheqjen e kryeredaktorit të gazetës “Corriere della Sera”, gazeta më e madhe dhe më e pavarur në Itali. Kryeministri italian ka arritur të vërë kështu nën kontroll median. Shumë vëzhgues thonë se në qoftë se kjo praktikë zbatohet në ndonjë vend tjetër të Europës Lindore, atëherë ky vend nuk do të pranohej në Bashkimin Europian.
Megjithatë muajin e ardhshëm kryeministri Berluskoni do të vihet në krye të Bashkimit Evropian. Zoti Stefan Rikter, është botues i revistës elektronike “The Globalist”.
“Kjo është një tragjedi, jo vetëm për Italinë por edhe për Evropën sepse marrja e presidencës nga Italia nënkupton se ky president, ndaj të cilit kanë filluar procedurat ligjore, do të jetë në fuqi për 6 muajt e ardhshëm. Kjo do të ndikojë negativisht edhe për imazhin e Evropës në botë. Kjo do të na shfaqet në sytë e botës si një përzierje ndërmjet Nigerisë, Zimbabvesë dhe Angolës,” tha zoti Rikter.
Shumë vëzhgues thonë se ka patur edhe politikanë të tjerë evropianë të akuzuar për veprime të paligjshme ose jo etike si ish kancelari Helmut Kol ose presidenti frances Zhak Shirak.
Më 11 qershor, kryeministri italian duhej të paraqitej para një gjykatë në qytetin e Milanos për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me akuzat për rryshfete, por ai nuk u paraqit sepse u nis për një vizitë në Lindjen e Mesme në një përpjekje për të ndihmuar, siç tha kryeministri italian, në realizimin e planit të paqes të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë aleatët e zotit Berluskoni në parlamentin italian po përpiqen të miratojnë ligjin, i cili do të sigurojë imunitet ligjor për drejtuesit e lartë qeveritarë në një përpjekje për të ndaluar akuzat kundër kryeministrit italian deri në vitin 2006, kohë kur i mbaron mandati si kryeministër. Kështu të rinjtë italianë të cilët i thurrin lavde botës së pestë do të jenë të detyruar, ashtu si edhe prindërit e tyre, të pranojnë realitetin e jetës së përditshme.
//ad//