Ish-të përndjekurit politikë të diktaturës komuniste i vazhduan edhe të mërkurën tubimet e protestës, duke kërkuar dëmshpërblime financiare mbi pafajësinë e fituar për burgimet. Disa qindra protestues u mblodhën në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” ku është selia e qeverisë, thuajse në të njëjtën kohë kur kryeministri Fatos Nano u takua me Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, për të diskutuar rrugëzgjidhje të këtij problemi.
Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Dënuarve Politikë, Adem Allçi, i cili ka vuajtur dënime me 28 vjet burg, thotë se të përndjekurit e diktaturës duhet të kompensohen për burgimin e padrejtë, që është harruar edhe gjatë 12 viteve të tranzicionit.
“Për 50 vjet kemi punuar si skllevër. Kemi ndërtuar fabrika, uzina, pallate e tharje kënetash. Kemi ndërtuar Shqipërinë, dhe sot këta tallen me ne si na kanë lënë, dhe është turpi i qeverisë për këtë gjendje ku jemi sot” - thotë ai.
Sipas organizatorëve të protestës, bëhet fjalë për kompensimin e 27 mijë familjeve të të përndjekurve me afro 51 milionë dollarë USD, ndërsa pohojnë se shifrat e shpallura nga zyrtarë të qeverisë janë të zmadhuara artificialisht. Sekretari i shoqatës, Besim Ndregjoni, thotë se qeveria duhet së paku të shfaqë vullnetin për ta zgjidhur cështjen si një e drejtë që atyre u takon.
“Të burgosurit dhe të përndjekurit politikë kanë patur dy dënime: një dënim politik si kundërshtarë të regjimit dhe një tjetër me punë. Në asnjë vendim të gjykatave të diktaturës nuk shkruhet se këta njerëz dënohen me punë. Ne kemi bërë punë të detyrueshme pa ligj” - thotë zoti Ndregjoni.
Ndërkaq kryeministri Fatos Nano, sipas njoftimeve zyrtare, bisedoi të mërkurën me Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, për rrugët ligjore të zgjidhjes së këtij problemi. Ata ranë dakord që kjo cështje të zgjidhet me dialog me shoqatat. Një përfaqësi e shoqatave do të fillojë dialogun me zyrtarët pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me qeverinë, për respektimin e të cilës bëhet garantues Avokati i Popullit.
Zoti Nano urdhëroi që të kontrollohen të gjitha dosjet e shpërblimeve që kjo shtresë ka marrë gjatë gjithë viteve të tranzicionit dhe të studiohet një rol më i madh për Institutin e të Përndjekurve. Ai u shpreh se për ta zgjidhur problemin është e nevojshme të shmangen konfrontimet absurde me policinë dhe të fillojë dialogu teknik me përfaqësues të protestuesve.
Ish- të përndjekurit politikë po mbajnë tubime proteste prej afro tre muajsh me kërkesa ekonomike. Partitë e opozitës i mbështetën protestat e tyre si të drejta dhe kërkesa