Lidhje

Tiranë:Komisioni parlamentar po ecën me vështirësi në hetimet ndaj ministrisë së kulturës dhe bashkisë së kryeqytetit - 2003-05-27


Komisioni i posacëm parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës zhvilloi të martën një tjetër mbledhje të vështirë mes debateve të socialistëve dhe opozitës për dosje të dyshuara korrupsioni në këto institucione.

Mbledhjet e këtij komisioni shpesh tensionohen, duke u përfshirë gjatë në replika e debate anësore, dhe uke shtyrë për më vonë shqyrtimin e së paku njëqind dosjeve mbi punën e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së kryeqytetit. Në rradhët e komisionerëve ekziston gjerësisht skepticizmi nëse hetimet do të arrijnë të mbyllen brenda 10 qershorit, afati i fundit ligjor për t’u kryer një raportim në parlament.

Kryetari i komisionit nga Partia Demokratike, Sokol Olldashi, thotë se komisionerët e opozitës i paraqitën hetimet e tyre. “Nuk ishte tendecioze kur thashë se po zvarritet koha kot. Ne e kemi konsumuar pjesën tonë. Kishim për të parashtruar një dosje për grupin “Scorpions”. Socialistët duhet të vazhdojnë të paraqesin dosjet e tyre” - tha zoti Olldashi.

Ndërsa nënkryetari socialist i komisionit, Bardhi Agasi, thotë se koha po harxhohet me debate të parëndësishme, ndërsa përfundimet mbi dosjet e hetuara deri tani janë gati. “Më duket se bashkarisht po e zvarritim kohën duke u marrë me probleme të vogla. Opozita paraqiti dosjet e veta, ne do të paraqesim dosjet tona” - tha zoti Agasi. Puna e këtij komisioni është vënë në qendër të interesimit të opinionit publik, shtypit dhe dy partive më të mëdha politike, të cilat po përpiqen të zbulojnë shpërdorime dhe korrupsion të zyrtarëve me fondet publike në periudha të ndryshme. Krahas shqyrtimit të dokumentave, pritet që para komisionit të japin shpjegime e dëshmi gojore zyrtarë të lartë të qeverisë dhe drejtues të institucioneve në hetim. Komisioni u ngrit me kërkesë të opozitës pas dyshimeve për shpërdorime dhe korrupsion në Ministrinë e Kulturës dhe bashkinë e Tiranës vitet e fundit të drejtuara nga Partia Socialiste. Ndërsa parlamenti me shumicë të majtë vendosi që njëkohësisht të hetoheshin edhe periudha të mëparshme kohore, kur këto institucione drejtoheshin nga zyrtarë të Partisë Demokratike. Të dyja palët shpresojnë që përfundimi i hetimeve të ndikojë sadopak në zgjedhjet e ardhshme vendore që mbahen në vjeshtë.//ss//

XS
SM
MD
LG