Lidhje

Në Maqedoni, partia  e opozitës VMRO-DPMNE zgjedh  kryetarin e ri - 2003-05-25


Partia më e madhe e opozitës në Maqedoni VMRO-DPMNE prej sot ka një kryeta të ri. Nikolla Gruevski, i cili pritej ta fitonte këtë post u zgjodh me 220 vota nga 289 delegatët e Kongresit të kësaj partie. Zoti Gruevski deri më sot ishte nënkryetar i partisë.

Për kundërkandidat ai kishte nënkryetarin tjetër të partisë, Marjan Gjorçev. Të dy këta kanë qenë ministra në qeverinë e kaluar të kryetarit të partisë së tyre, Lubço Georgievski. Ky i fundit u emërua kryetar nderi i partisë. Gjatë fjalimit të tij para delegatëve zoti Lubço Georgievski ka krahasuar veten me figurat historike të Maqedonisë që kishin formuar Lëvizjen e Brendëshme Revolucionare Maqedonase gjatë pushtimit osman, në luftërat ballkanike dhe para Luftës së Dytë Botërore dhe shkurtesa e kësaj lëvizjeje në maqedonisht është, në të vërtetë, emri i partisë së sotme, VMRO.

Zoti Georgievski qëndroi në krye të partisë që nga themelimi para 13 vjetësh. Ai mendon se pas dorëheqjes nga posti numër një do të hyjë në historinë e VMRO-së bashkë me emrat e heronjëve kombëtarë maqedonas.

Kryetari i sapozgjedhur është në moshë të re, 31 vjeç; ekonomist me profesion dhe njihet si ekspert i kësaj lëmie. Ai ishte ministër i Financave kur partia e tij udhëhiqte me pushtetin nga viti ‘98 deri në shtator-tetor të vitit të kaluar.

Partia e tij, nën udhëheqjen trembëdhjetë vjeçare të Lubço Gegorgievskit, njihet si parti nacionaliste dhe shpesh me qëndrime kundër-shqiptare. Kah mesi i viteve ‘90 VMRO-DPMNE nëpër mitingje kërkonte dhoma gazi për shqiptarët. Ajo i zbuti qëndrimet me ardhjen në pushtet në vjeshtë të vitit 98 kur e mori si partnere në qeveri PDSH të zotit Arbër Xhaferi.

Me dorëheqjen e tij nga kreu i partisë, Lubço Georgievski propozoi ndarje territoriale dhe shkëmbim popullatash midis shqiptarëve dhe maqedonasve, përkatësisht ndërtimin e një Maqedonie të re pa shqiptarët. Kryetari i ri Nikolla Gruevski ka deklaruar se nuk e mbështetë këtë ide, megjithë përkrahjen që zoti Georgievski ia dha atij për tu bërë kryetar partie. /ss//

XS
SM
MD
LG