Lidhje

Ekspertët amerikane fillojnë heqjen e minave në Irak - 2003-05-24


Ekspertët e minave tokësore nga Shtetet e Bashkuara ndodhen në Irak dhe kanë filluar heqjen e minave tokësore që mund të arrijnë shifrën 10 mijë.

Ekspertë të Departamentit të Shtetit llogarisin që të ketë deri në 10 mijë mina tokësore në gjithë Irakun dhe thonë se vetëm në Irakun verior ka 3 mijë e 200 fusha të minuara.

Për këtë arsye një ekip ekspertësh të Departamentit të Shtetit kanë mbërritur në Irak për të filluar eliminimin e mbeturinave të fundit të kërcënimit të Saddam Husseinit ndaj popullit të tij.

Daniel Layton është një nga ekspertët më të mirë të qeverisë amerikane për minat dhe është çuar në Irak nga Bosnja ku janë zbuluar mijëra mina tokësore. Ai thotë se ekipi i tij ka mbledhur të dhëna për minat në Irak, si hap të parë për heqjen e tyre.

Zoti Layton shton se katalogimi i të dhënave do të jetë i domosdoshëm për komunitetet që duan të ndërtojnë rrugë, ose njerëzit që duan të ngrenë shtëpi dhe biznese.

Eksperti i minave tokësore thotë se besohet që i gjithë kufiri mes Irakut dhe Iranit të jetë minuar nga irakianët.

Minat në rrugën nga Basra për në Bagdad janë vendosur para se trupat amerikane të sulmonin Irakun. Eksperti i minave në Departamentin e Shtetit, Tom McCormick thotë se minat tokësore që po gjenden në Irak janë 20 vjet të vjetra dhe janë blerë nga jashtë.

“Ato që po gjejmë këtu janë italiane. Ato janë mina anti-personel, anti-tank, apo anti-automjete”, thotë zoti McCormick.

Ai shton se minat mund të vazhdojnë të përbëjnë rrezik për 30 vjet ose më shumë dhe me kalimin e kohës edhe minat anti-tank mund të shpërthejnë nga pesha e një personi.

Një nga rreziqet më të mëdha janë fëmijët që luajnë në fushat e minuara, pa e ditur se çfarë rreziku kanë nën këmbë. Por në Irak, pas vitesh të tëra shtypjeje ushtarake dhe politike, edhe fëmijët fare të vegjël dinë gjithçka për minat, sipas ekspertes Leslie Brown e cila thotë se fëmijët irakianë kanë ndihmuar ekipet e çminimit që të gjejnë minat tokësore që nuk kanë shpërthyer.

“Mua më duket e qartë që këta fëmijë kanë një përvojë të madhe me këtë aspekt të keq të jetës. Dhe për shkak të kësaj përvoje, kanë prirjen të jenë shumë të kujdesshëm. Disa prej tyre me të vërtetë të befasojnë: Ata vijnë, tregojnë se ku janë minat, në ç’gjendje janë dhe çfarë ndodh kur shpërthejnçë”, thotë ekpertja.

Çminimi nuk është diçka e thjeshtë. Por në fund do të jenë Irakianët ata që do të marrin përsipër përgegjësinë e spastrimit të vendit të tyre nga trashëgimia e luftës dhe armëve që la pas Saddam Husseini. Eskpertët amerikanë këtu në Irak thonë se pasi të kualifikohen për një vit, detyra e rrezikshme e heqjes së minave do t’i kalojë krejtësisht irakianëve.//kk//

XS
SM
MD
LG