Lidhje

Rreth 770 të vdekur nga tërmeti në Algjeri - 2003-05-22


Televizioni kombëtar algjerian thotë se të paktën 770 vetë humbën jetën dhe rreth 5 mijë të tjerë u plagosën nga tërmeti më i fortë që ka goditur këtë vend në disa dekada.

Kryeministri i Algjerisë, Ahmed Oujahja, paralajmëroi sot se ka shumë të ngjarë që numri i të vdekurve të rritet, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë nëpër rrënoja në rajonin me popullsi të dendur, përgjatë bregdetit të Mesdheut.

Kryqi i Kuq tha se ekipe të Gjysmëhënës së Kuqe ndodhen në zonën e goditur, duke u përpjekur të nxjerrin njerëz nga rrënojat e ndërtesave të shëmbura.

Edhe Franca e Gjermania kanë dërguar ekipe shpëtimi, me pajisje dhe qen të stërvitur. Spitalet lokale janë të mbingarkuar nga vala e viktimave të tërmetit të djeshëm dhe shumë pacientë po mjekohen nën qiellin e hapur.

Zyrtarët algjerianë u kanë bërë thirrje mjekëve dhe personelit ndihmës mjekësor të ndihmojnë dhe qytetarëve, të dhurojnë gjak.

Shumica e viktimave ishin në qytetet Rubia e Thenia dhe në zonat përreth. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 60 kilometra në lindje të Algjerit.

Në kryeqytet, disa ndërtesa u shëmbën dhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre në disa lagje, duke shkaktuar panik në radhët e banorëve. Shumë banorë në zonat e goditura nga tërmeti e kaluan natën jashtë, ndërkohë që vazhdonin pasgoditjet. Sistemi sizmologjik amerikan thotë se forca e tërmetit ishte 6,7 sipas shkallës Rihter.// lk //

XS
SM
MD
LG