Lidhje

Tiranë: Opozita kërkon mbrojtjen e biznesit shqiptar - 2003-05-20


Parlamenti shqiptar pritet të vendosë këto ditë në qendër të debateve të veta situatën e rënduar të presioneve dhe kërcënimeve që javët e fundit kanë mbërthyer qarqet e biznesit me pasiguri e incidente. Debati parlamentar u kërkua nga deputetët e opozitës me rastin e një projekt-rezolute “Për mbrojtjen e biznesit nga krimi”. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha të martën për shtypin se kërcëimet ndaj qarqeve të biznesit vijnë prej monopoleve qeveritare. “Janë pikërisht këto cështje (në qendër të debatit); pra, sulmi që krimi i organizuar, i mbështetur nga qeveritarët po i bëjnë biznesit. Atij biznesi që nuk është i lidhur më qeverinë, dhe që sulmohet pikërisht për të shmangur konkurrencën e firmave që mbështeten nga qeveritarët apo të firmave të vetë qeveritarëve” - tha zoti Paloka.

Socialistët në pushtet i kanë hedhur poshtë këto akuza dhe e kanë mirëpritur projekt-rezolutën e opozitës. Ministria e Rendit shprehu gadishmërinë për të marrë në mbrojtje drejtuesit e atyre firmave që pohojnë se kërcënohen në mënyra të ndryshme. Drejtues të lartë të policisë pohojnë se si në lirimin nga pengmarrja e nipit të një tregtari cimentoje në Vlorë, ashtu edhe për vrasjen e tregtarit të hekurit në Tiranë po përpiqen me të gjitha mënyrat për të ndricuar ngjarjet dhe për të zbuluar autorët. Qarqet e tregtarëve dhe biznesmenëve u tronditën nga vrasje dhe pengmarrje javët e fundit, për të cilat ata kërkuan nga qeveria të ndërhyjë për të përmirësuar gjendjen.

Vrasja e një tregtari të hekurit në kryeqytet dhe kërcënimi i familjarëve të të tjerëve iu shtuan papritur vështirësive të tjera të shumta që ata kanë si taksat e larta, gjobat e paligjshme kërcënuese, mungesa e energjisë elektrike. Vëzhgues të ekonomisë mendojnë se një situatë e tillë e rënduar ndikon ndjeshëm edhe në pakësimin e investimeve. //ss//

XS
SM
MD
LG