Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara punojnë për të rindërtuar vende si Iraku dhe Afganistani, Komisioni Amerikan për Lirinë Ndërkombëtare të Besimit thotë se një ndër elementet kyçe të suksesit të tyre të ardhshëm është liria e fesë, si dhe të drejta të tjera të njeriut që duhet të garantohen nga kushtetutat e këtyre vendeve.
Të dy vendet kanë përjetuar përndjekjen dhe diskriminimin me baza fetare. Në Afganistan, regjimi taleban vendosi një variant të rreptë të ligjit islamik. Në Irak, myslimanët suni kontrollonin pjesën më të madhe të zyrave qeveritare dhe persekutuan shumicën shiite për tre dekada. Pas rënies së regjimit të Sadam Huseinit është shfaqur shqetësimi se shumica shiite do të vendosë variantin e saj të fesë islame duke diskriminuar myslimanët suni dhe të krishterët.
Leila Sadat, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Uashingtonit në Saint Luis si dhe anëtare e Komisionit, thotë se qeveria amerikane duhet t’u kushtojë vëmendje mbrojtjes së të drejtave fetare në përpjekjet për rindërtim në këto dy vende:
"Afganistani deri diku mund të shërbejë si paralajmërim i atyre zhvillimeve që tani po shohim në Irak. Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen të kujdesshme tani që po përqëndrohen në Irak, pasi puna në Afganistan sapo ka filluar. Puna fillestare në Afganistan mund të çojë në vendosjen e një regjimi pothuajse aq shtypës sa ai taleban, përsa i përket lirisë së besimit",- thotë zonja Sadat
Afganistani dhe Iraku kanë kryesisht popullsi myslimane. Disa klerikë myslimanë ngrenë idenë se të drejtat universale të njeriut janë relative në një vend mysliman. Por anëtari i Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Lirinë Ndërkombëtare të Besimit Richard Land e kundërshton këtë ide:
"Ta themi hapur: Komisioni nuk përdor si standart Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, por Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut si dhe instrumente të tjera ndërkombëtare. Pra nëse një vend vendos t’i japë përparësi një besimi të caktuar, populli i këtij vendi e gëzon atë të drejtë. Por ata nuk kanë të drejtë të kërcënojnë, diskriminojnë, përndjekin apo vrasin dikë nëse ndërron fe dhe kërkon të praktikojë besimin e tij të ri fetar",-thotë zoti Land.
Kryetarja e Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Lirinë Ndërkombëtare të Besimit, Felice Gaer thotë se vendet që mbrojnë lirinë e besimit janë më të qëndrueshme:
"Anëtarët e këtij komisioni mendojnë se një vend që respekton lirinë e besimit për të gjitha pakicat fetare, do të jetë një anëtar më i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar",-thotë zonja Gaer.
Zonja Gaer thotë se komisioni do të vazhdojë të mbikqyrë dhe raportojë mbi respektimin e lirisë fetare në botë. Megjithëse pranon se ka shumë zhvillime negative, ajo shton se ka edhe përparim. Ajo shpreson se vitin e ardhshëm raporti do të vërë në dukje arritjet në fushën e lirisë fetare në Irak dhe Afganistan.// lk //