Zoti Ramsfeld hodhi poshtë me forcë një artikull të faqes së parë të numrit të së djelës të gazetës Nju Jork Tajms, ku thuhej se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të vendosin marrëdhënie afatgjatë me Irakun që do t’i garantonin Pentagonit mundësinë e përdorimit të bazave kryesore.
Sekretari Ramsfelld e quajti artikullin të padobishëm dhe sipas tij ”kryekëput të gënjeshtërt”. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë dëshirë të qendrojnë atje gjatë. Thjeshtë ne nuk kemi synime të tilla. Ky është fakt i pakundërshtueshëm”.
Sekretari i mbrojtjes tha se tema e një pranie të përhershme apo madje afatgjatë ushtarake amerikane në Iraq, as që është përmendur në diskutime të nivelit të lartë. “Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë me sa mbaj mend që tema e një baze të përhershme në Irak të jetë diskutuar në ndonjë mbledhje”.
Zoti Ramsfelld e pranon se Shtetet e Bashkuara po rivlerësojnë strategjinë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Gjirit Persik. Por ai thotë se nuk ka të ngjarë që Pentagonit do t’i duhet të marrë në shqyrtim mundësinë për ndonjë bazë të re. “Kemi në dorë të gjitha alternativat dhe mundësitë për dislokim forcash në këtë rajon. As që kemi nevojë për vende të reja”.
Ai tha se ka frikë që artikulli i NNju Jork Tajmsit mund t’u krijojë një përshtypje të pasaktë irakianëve të shqetësuar tashmë në lidhje me një pushtim të mundshëm afatgjatë nga ana ushtrisë amerikane. “Mendoj se çdo përshtypje që lë ky artikull se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë një farë pranie të përhershme në Irak, është shenjë e pasaktë dhe e pavend për irakianët, sepse Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të luajnë rolin e pushtuesit, nuk kanë në plan t’i tregojnë asnjë qeverie të re se si duhet t’i shikojnë interesat amerikane në Iraq”.
Zoti Ramsfelld thotë se forcat amerikane po ndeshin ende në qëndresën e skuadrave irakiane të vdekjes, luftëtarëve të ardhur nga jashtë dhe të tjerëve që nuk pranojnë të ndalojnë luftën. Por ai thotë se më shumë irakainë po ndihmojnë trupat e koalicionit për të kapur luftëtarë të tillë, si dhe për të zbuluar vendodhje të armëve të fshehura.
Megjithatë, zoti Ramsfelld nuk mundi të konfirmonte një artikull tjetër të botuar në gazetën New York Times se një shkencëtar irakian kishte treguar vend-ndodhjen e disa kimikateve, të nevojshme për prodhimin e armëve të ndaluara. //az//