Trupat amerikane kapën në Bagdad një vëlla të Saddam Husseinit.
Një zëdhënës ushtarak amerikan tha se personi në fjalë është Barzan Ibrahim Hasan al-Tikriti, vëlla nga nëna i Saddam Huseinit dhe këshilltar i tij. Zëdhënësi tha se në operacionin për kapjen e tij nuk pati viktima.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po fillojnë riorganizimin e forcave të tyre tokësore në të gjithë Irakun, tani që atje po nis faza e vendosjes së sigurisë dhe e përpjekjeve të rindërtimit.
Zyrtarët thonë se Iraku do të ndahet në tri zona ushtarake.
Këmbësoria amerikane do të marrë përgjegjësinë për Bagdadin dhe për territorin në veri të vendit. Marinsat do të dislokohen në jug, ku forcat britanike kontrollojnë Basrën, qytetin e dytë më të madh të vendit.
Shefi i komandës Qendrore amerikane, gjenerali Tommy Franks, e diskutoi planin e riorganizimit dje me komandantët e tij kryesorë në një takim të mbajtur në njërin nga pallatet e mëdhenj të Saddam Husseinit në Bagdad. Gjenerali Franks arriti në Bagdad me aeroplan, vizita e parë e tij në kryeqytetin irakian që nga rënia e regjimit të Saddam Husseinit.
Ndërkaq, në Irakun verior, forcat amerikane kanë filluar punën për rivendosjen e sigurisë në qytetin Mosul, ku gjatë përplasjeve të fundit janë vrarë të paktën 10 veta.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar deri në 200 mijë dollarë për informacione lidhur me vendndodhjen e Saddam Husseinit. Zyrtarët amerikanë thonë se nuk e dinë nëse ai është gjallë apo ka vdekur.//ii