Forcat amerikane në Bagdad kanë kapur terroristin e kërkuar palestinez, Abu Abas, organizatori i rrëmbimit të anijes Akile Lauro, në vitin 1985. Në atë incident u vra një shtetas amerikan me të meta fizike. Zyrtarë të Pentagonit thonë se forca të njësive speciale e kapën Abu Abazin të hënën, në një shtëpi në periferi të Bagdadit.
Mendohet se ai ka jetuar në Irak që kur grupi i tij, Fronti për Çlirimin e Palestinës, rrëmbeu anijen turistike italiane në afërsi të bregdetit egjiptian. Kërkesa e rrëmbyesve ishte që Izraeli të lironte 50 të burgosur palestinezë.
Gjatë rrëmbimit, terroristët e Frontit për Çlirimin e Palestinës vranë udhëtarin 69 vjeçar amerikan, Leon Klinghofer, i cili lëvizte me ndihmën e një karroce invalidi. Terroristët e hodhën atë në ujrat e Mesdheut me gjithë karrocën e tij. Drama e anijes Akile Lauro përfundoi pas dy ditësh, kur terroristët e Frontit për Çlirimin e Palestinës morën premtimin se mund të largoheshin pa asnjë problem.
Mirëpo, një reaktiv luftarak amerikan detyroi avionin e rrëmbyesve të ulej në Siçili, ku të dyshuarit u arrestuan. Por, Abu Abazi arriti t’i shmangej kapjes. Një gjykatë italiane e dënoi atë në mungesë me pesë burgime të përjetshme. Ai kërkohet edhe në Shtetet e Bashkuara lidhur me rrëmbimin e anijes italiane. Javën e kaluar, marinsat amerikanë zbuluan një kamp të madh stërvitor me flamurë të Frontit për Çlirimin e Palestinës dhe materiale për ndërtimin e bombave. Mendohet se kampi drejtohej nga Abu Abazi.
Presidenti Bush tha dje se fitorja në Bagdad është e sigurtë, por ende nuk është arritur poltësisht. Regjimi i presidentit Sadam Husein në Irak nuk ekziston më, tha Presidenti Bush, por paralajmëroi se trupat e koalicionit vazhdojnë të përballen me armiq të rrezikshëm në disa pjesë të Irakut.
Ai theksoi se forcat e koalicionit nuk do të pushojnë derisa të shkatërrohen apo të dorëzohen të gjitha forcat armike. Sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, tha se trupat e koalicionit, të cilat morën me shpejtësi qytetet kyesore të Irakut, tani po kthehen nëpër qendra më të vogla për të mposhtur forcat e fundit irakiane.//xh//