Lidhje

Forcat amerikane në kërkim të grupeve irakiane të rezistencës - 2003-04-15


Forcat amerikane në Irak janë në kërkim të grupeve irakiane që vazhdojnë rezistencën edhe pse përpjekjet e koalicionit po përqendrohen tani në objektiva jo-ushtarake, siç janë ndihmat dhe siguria.

Sot, marinsa të armatosur amerikanë bastisën disa dhoma në Hotelin Palestinë të Bagdadit, ku ndodhen shumica e gazetarëve të huaj që mbulojnë luftën në Irak. Marinsat hapën me forcë dyert në dy kate të hotelit dhe ndaluan disa persona të dyshuar në njërin nga korridoret. Marinsat thanë se sipas raporteve të agjencive të zbulimit, ndërtesa nuk kishte qenë plotësisht e sigurt.

Ushtarët amerikanë po ndërmarrin operacione të ngjashme në Tikrit, vendlindja e Saddam Husseinit, qytet që ata e morën një ditë më parë. Tikriti ishte qyteti i fundit i madh irakian që ra në duart e forcave të koalicionit.

Komanda Qendrore amerikane thotë se forcat e koalicionit po punojnë për rivendosjen e furnizimit me ujë dhe me energji elektrike në disa qytete. Një zëdhënës tha gjithashtu se të gjithë zjarret në puset irakiane të naftës janë shuar. Zyrtarët e mbrojtjes thonë se po fillojnë ti pakësojnë operacionet ushtarake.

Dy aeroplanmbajtëse dhe anijet shoqëruese në Detin Arabik po kthehen në bazat e tyre ndërsa dy bombardues të tipit Stealth, të padiktueshëm nga radarët janë kthyer në Shtetet e Bashkuara. Ata thonë se forcat irakiane nuk po mbrohen më në mënyrë të organizuar por për një farë kohe në Irak do të jetë e nevojshme një forcë luftuese, në mënyrë që të ruhet ose të krijohet një mjedis i sigurt.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell thotë se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol kryesor për të ndihmuar irakianët që të gjejnë objektet e vjedhura nga plaçkitësit në muzeumet irakiane.

//rd//

XS
SM
MD
LG