Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar e ndërpreu punën në Bagdad, pasi një nga punonjësit e vet u vra ndërsa zhvilloheshin luftime.
Kjo organizatë e cilësoi gjendjen në kryeqytetin irakian “kaotike dhe të paparishikueshme”.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit të martën u gjendën mes breshërisë së plumbave dy automjete të Kryqit të Kuq dhe një prej punonjësve, kanadezi Vatche Arslanian, i ngarkuari i sektorit të logjistikës i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Irak, u vra. Trupi i zotit Arslanian, fati i të cilit nuk dihej, u gjet pas 24 orësh.
Zyrtarët e Kryqit të Kuq thanë sot se i kanë ndaluar vizitat në spitalet e Bagdadit, për arsye se lëvizjet në qytet janë tepër të rrezikshme.
Një zëdhënëse tha se Kryqi i Kuq do të shqyrtojë në se është, apo jo i sigurtë rifillimi i veprimtarive në kryeqytetin irakian. Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar është e vetmja agjenci që vazhdon punën në këto momente në Irak. Zyrtarët e kësaj organizate thonë se spitalet e Bagdadit janë të mbipopulluara me të plagosur dhe kanë mungesa të mëdha në ilaçe dhe pajisije të tjera. //ad//