Avionët e koalicionit kanë bombarduar fuqishëm Bagdadin pasi forcat amerikane dhe britanike kaluan ditën më të vështirë të luftimeve që nga enjtja kur sulmuan Irakun.
Shpërthime të fuqishme përfshinë Bagdadin sot në orët e para të ditës, duke e kthyer në zjarr e flakë kryeqytetin irakian. Gazetarët që ndodhen në qytet thonë se nuk u dëgjuan sirena alarmi para se të fillonte sulmi. Një sulm i mëparshëm nga ajri gjatë natës kishte si objektiv pika të caktuara në kompleksin e pallatit të Saddam Huseinit, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme.
Në luftimet e ashpëra të së dielës, forcat e koalicionit që luftuan për të kapur Nassiriya-un, pësuan disa humbje. Në një pritë të irakianëve në afërsi të qytetit u kapën 12 ushtarë amerikanë. Luftime të ashpëra njoftohen edhe në Basra, Najaf dhe në qytetin port Umm Qasr.
Presidenti Bush thotë se pjesa më e madhe e Irakut është tani në duart e koalicionit. Deri dje forcat amerikane dhe Britanike ndodheshin 160 kilometra larg Bagdadit. Shpërthime u njoftuan gjithatu dje edhe përreth qytetit verior Mosul dhe në Tikrit, vendlindja e Presidentit Saddam Hussein.//ic//