Lidhje

Forcat e koalicionit po avancojnë drejt Bagdadit - 2003-03-22


Forcat e koalicionit kanë arritur 160 kilometra afër Bagdatit, por po ndeshin në rezistencë të ashpër në disa pika, ndërkohë që televizioni arab tregoi pamje të atyre që duket se janë robër amerikane lufte dhe trupa pajetë.

Forcat amerikane dhe britanike përparuan sot në mbarë Irakun jugor, ku u njoftua për luftime në qytetin Najaf në jug të Bagdadit dhe në qytetin Nasirija afër lumit Euphrates në juglindje. Forcat e koalicionit po përpiqen gjithashtu të shtypin qëndresën në portin Um Kasër të Gjirit Persik, i cili u morr nën kontroll nga forcat britanike të premten.

Aeroplanë amerikanë dhe britanikë bombarduan Bagdadin sot të paktën 2 herë. Dëshmitarët thanë se shtresa e trashë dhe e errët e typit erdhi nga pozicionet përreth qytetit nga ku dukeshin flakët e naftës që digjej. Ndërkaq, rrjeti televiziv Al-Xhazira transmetoi një film me trupa pa jetë, që mendohet të jenë ushtarë amerikanë si dhe 5 ushtarë amerikanë, të marë rob. Nën-presidenti irakian Taha Yajin Ramadan u tha gazetarëve më parë se ushtarët ishin kapur në Irakun jugor.

Shefi i shtatmadhërisë amerikane, gjenerali Richard Myers, mohoi njoftimet irakiane se 2 pilotë të forcave të koalicionit u hodhën nga aeroplanët e tyre mbi Bagdad. Televizioni Al-Xhazira njoftoi sot se trupat irakiane kanë gjetur 2 pilotë amerikanë ose britanikë përgjatë bregut të lumit Tigër pranë Bagdadit. Pamjet televizive tregonin irakianët, që kërkonin për pilotët, por këta të fundit nuk u panë në televizion.

Televizioni irakian tregoi sot pamje të tjera të presidentit Sadam Husein duke u takuar me këshilltarë të tij, por nuk është e qartë kur ishte regjistruar ky takim. Zyrtarë amerikanë thanë se ende nuk e dinë në se udhëheqësi irakian është në krye të qeverisë së tij ap në se u godit nga një raketë amerikane në ditën e parë të sulmeve.

//rd//

XS
SM
MD
LG