Lidhje

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia shprehin mbështetjen e tyre ndaj luftës në Irak - 2003-03-20


Kryeministri Nano:Shqipëria-krenare që qëndron përkrah Shteteve te Bashkuara në luftën kundër Irakut

Shqipëria është ndër 30 vendet që janë rreshtuar përkrah Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që janë angazhuar në luftën për të carmatosur regjimin e Sadam Huseinit. Kryeministri Fatos Nano, shprehu edhe një herë mbështetjen e plotë ndaj ndërhyrjes ushtarake.

"Si demokraci e re, Shqipëria", thuhet në deklaratën e kyeministrit, "është krenare që qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe të tjerëve në koalicionin për t’i dhënë lirinë popullit të shumëvuajtur irakian. Shqipëria, tha kryeministri, është një komb i luftëtarëve për liri, që di ç'do të thotë të jetosh nën shtypje. Kjo është arsyeja, shkruan kryeministri, pse mbeshteten pa rezerva përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara".

Shqipëria është angazhuar për herë të parë në një konflikt të armatosur. Parlamenti shqiptar vendosi javën e kaluar dërgimin në Gjirin Persik të 70 ushtarëve komando, trupat elitë të ushtrisë së saj. Tirana ka vënë në dispozicion dhe pa kushte të koalicionit, hapësirën ajrore dhe të gjitha bazat e saj.

Kryeministri Fatos Nano shkruan se tani që lufta filloi, komandot shqiptare do të përmbushin me sukses misionin e tyre. Kreu i qeverisë shqiptare ka ritheksuar se Shqipëria është krenare që është rreshtuar në krahun e lirisë.

Kriza irakiane ka qenë në qendër të vëmendjes politike dhe publike këtu. Shumë media televizive, kanë transmetuar që gjatë orëve të para të mëngjesit dhe gjatë ditës së sotme, pamjet që vijnë nga fronti i luftës.

Shqipëria nga ana e saj, me urdhër të kryeministrit po përforcon masat e sigurisë, në mbrojtje të institucioneve kryesore të vendit dhe për të parandaluar çdo akt të mundshëm terrorist.

Presidenti i Kosovës mbështet luftën kundër Irakut

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova përshëndeti ndërhyrjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve në Irak.

Në një deklaratë, Presidenti Rugova i shpreh presidentit Bush përkrahjen dhe mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për këtë aksion të rëndësishëm në luftën kundër të keqes dhe në shërbim të lirisë dhe mirëqenjes së kombeve. Populli i Kosovës thekson presidenti Rugova e di më së miri rëndësinë e luftës kundër tiranisë, shtypjes dhe terrorit, për të nënvizuar se falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatëve dhe veprimit të tyre të vendosur para katër vitesh, populli i Kosovës, sot është i lirë dhe po integrohet në bashkësinë e kombeve të lira të botës.

Edhe përfaqësuresit e tjerë më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë mbështetur fuqishëm veprimin ushtarak në Irak. Ky veprim po ndiqet me interesim të jashtëzakonshëm nëpërmjet mediumeve elektronike vendore të cilat vazhdimisht po njoftojnë për zhvillimet rreth Irakut, duke iu referuar kryesisht stacioneve televizive amerikane. Emërues i përbashkët i të gjitha reagimeve është se kjo luftë i shërben paqes, ashtu si ajo e para katër viteve në Kosovë që ishte e drejtuar nga Shetet e Bashkuara të Amerikës.

Veprimet ushtarake amerikane janë mbështetur edhe nga shoqatat e dala nga lufta të cilat kanë shprehur gadishmërinë për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara edhe fizikisht në luftën e tyre në Irak. Këto shoqata dhe disa organizata të tjera joqeveritare kanë paralajmeruar për të zhvilluar të premten manifestime në mbështeje të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trajkovski shpreh mbështetje të fuqishme për forcat aleate

Opinioni publik në Maqedoni është jashtëzakonisht i interesuar të dijë se çpo ndodh në Irak. Presidenti maqedonas Boris Trajkovski i shprehu mbështetje të fuqishme forcave aleate që po luftojnë kundër regjimit të Sadam Huseinit. Në një komunikatë të tij thuhet se regjimi i Huseinit paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale. Edhe Ministrja e Punëve të jashtme, Ilinka Mitreva, përsëriti se Maqedonia është e gatshme të marrë pjesë në fazën e dytë, në një misioni paqësor, me ushtarët e saj, në Irak.

Partitë politike shqiptare e mbështesin fuqimisht ndërhyrjen ushtarake të forcave amerikane për çarmatosjen e Sadam Huseinit. Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes nënkryetares Teuta Arifi, shprehu qëndrimin e saj, duke thënë se SHBA janë partnere strategjike të Maqedonisë.

“Maqedonia,-tha zonja Arifi,- si anëtare e Grupit të Vilnusit, mori anën e shteteve që përkrahin operacionet amerikane. Ne shpresojmë të ketë sa më pak viktima civile.”

Partia Demokratike Shqiptare u shpreh se e kishte këshilluar me kohë qeverinë në Shkup që të mbështesë SHBA në një luftë eventuale kundër Sadam Huseinit. Zëdhënësi Demush Bajrami tha se thirrjet e SHBA drejtuar regjimit të Sadamit nuk patën rezultat për të shmangur një konflikt luftarak.

Edhe partitë tjera shqiptare të Maqedonisë e mbështetën ndërhyrjen kundër Irakut. Ndërkohë, qeveria e zotit Cervenkovski ende nuk ka reaguar pas fillimit të luftës në Irak. Nga partitë maqedonase, ka ndër ato që e mbështesin ndërhyrjen, por ka edhe që mbajnë qëndrim asnjanës. // lk //

XS
SM
MD
LG