Lidhje

Gjermania lejon përdorimin e hapësirës ajrore nga forcat amerikane - 2003-03-19


Kancelari gjerman Gerhard Shrëder u garantoi forcave ushtarake amerikane të drejtën për të përdorur hapësirën ajrore të vendit të tij, por tha se ushtarët gjermanë të dislokuar në Turqi dhe Kuvajt nuk do të angazhohen në luftën që pritet të fillojë në Irak.

Kancelari Schroeder tha sot në parlament se po i lejon Shtetet e Bashkuara të përdorin hapësirën ajrore gjermane, megjithëse se vendi i tij është kundër luftës në Irak. Ai tha se pavarësisht nga mendimet e ndryshme për zgjidhjen e krizës së Irakut, të dyja vendet mbeten partnere në NATO dhe miq.

Kushtetuta e Gjermanisë i ndalon trupat gjermane të dislokohen jashtë zonës së NATO-s. Çdo përjashtim nga ky rregull duhet të miratohet nga Dhoma e Ulët e parlamentit. Kancelari Schroeder hodhi poshtë thirrjet e opozitës për një mandat të ri për trupat.

Gjermania ka premtuar se do të vërë në dispozicion ekuipazhe për avionë radarë mbikqyrës të NATO-s, që do të patrullojnë hapësirën ajrore të anëtares së NATO-s, Turqisë në rast të një konflikti në Irak. Dislokimi bëhet përmes procedurave të NATO-s.

Para dy vjetësh, parlamenti gjerman miratoi vendosjen në Kuvajt të njësive të specializuara për diktimin e përdorimit të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike, si pjesë e luftës ndërkombëtare kundër terrorizmit.

Grupe të ndyshme që janë kundër operacioneve ushtarake në Irak kanë deklaruar planet për ta shtruar në gjyq çështjen e rolit të Gjermanisë në krizë.

Qeveria turke voton nesër për përdorimin e hapësirës ajrore nga trupat amerikane

Qeveria turke do t’i kërkojë parlamentit që t’u japë avionëve luftarakë amerikanë të drejtën të përdorin hapësirën ajrore turke.

Mirëpo, kryeministri Rexhet Tajip Erdogan tha sot se propozimi turk nuk parashikon që avionëve amerikanë t'u jepet leja të përdorin bazat ajrore turke, as për t’u furnizuar me karburant. Ka mundësi që votimi në parlament për përdorimin e hapësirës ajore të zhvillohet nesër.

Zoti Erdogan tha se bisedimet midis Ankarasë dhe Washingtonit po zhvillohen vetëm mbi aspekte ushtarake e politike dhe se çështjet ekonomike nuk janë në rend të ditës.

Në fillim të javës, zyrtarët amerikanë thanë se paketa ekonomike prej 6 milionë dollarësh që i ishte ofruar Turqisë është tërhequr, pasi ajo ishte kushtëzuar me bashkëpunimin e plotë turk, përfshirë dislokimin e më shumë se 60 mijë trupave amerikane në territorin turk.

//rd//

XS
SM
MD
LG