Lidhje

Analistët në Beograd optimistë për reformat - 2003-03-17


Megjithë pasigurinë politike pas vrasjes së kryeministrit reformist të Serbisë, Zoran Xhinxhiç, disa analistë në Beograd janë optimistë se ritmi i reformave do të vazhdojë e bile mund të rritet.

Si Banka Botërore ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë pohuar se programet e kredive në mbështetje të reformave në Serbi po vazhdojnë. Ekonomisti Boris Begoviç, aleat i afërt i ish kryeministrit Xhinxhiç dhe mbështetës i masave për reforma më 2001 dhe 2002 thotë se është i sigurt që reformat do të vazhdojnë: ”Nuk besoj se vrasja e Xhinxhiçit mjafton për ndaljen e reformave sepse në Serbi ka shumë njerëz në favor të reformave. Aty ka shumë të rinj të cilët besojnë në reformat, në një të ardhme më të ndritur për Serbinë dhe në të ardhmen e tyre. Prandaj unë besoj se fuqia politike e forcave në favor të reformave këto ditë është shumë më madhe nga sa mund të duket nga jashtë, thotë zoti Begoviç.”

Midis atyre 500 mijë vetave që morën pjesë në varrimin e zotit Xhinxhiç në Beograd ishte edhe Erhan Busek, zyrtari autriak që kryeson Paktin e Stabilitetit, një nismë e mbështetuir nga Bashkimi Evropian për reformat në vendet ballkanike. Ai tha se vazhdimi i përparimit në Serbi është me rëndësi të dorës së parë për krejt Ballkanin. ” Kur Sllobodan Millosheviçi e përjashtoi Jugosllavinë nga të gjitha lidhjet me Bashkimin Evropian, ne nuk i parashikuam pasojat. Tani me ndryshimet që janë bërë në Serbi dhe në Mal të Zi gjatë dy vjetëve të fundit, përparimi ka qenë i dukshëm. Prandaj mendoj se nuk janë vetëm arsyet teknike, gjeografike ose ekonomike, por edhe arsyet politike që e bëjnë Serbinë një shtet, si të thuash qendror në Evropën jug-lindore, thotë zoti Bushek.”

Zoti Busek i cili bashkërendon projektet e ndihmave, thotë se nga përmirësimi i autostradave ndërkombëtare që kalojnë nepër Serbi do të përfitojë tërë rajoni i Ballkanit.

Zoti Begoviç, i cili tani punon si studiues në një institut ekonomik të Beogradit, thotë se që nga vrasja e Zotit Xhinxhiç, publiku serb e ka ngritur zërin edhe më tepër për masa më të rrepta kundër grupeve kriminale si ato që vranë zotin Xhinxhiç. ”Mendoj se ajo që kemi parë që nga vrasja e zotit Xhinxhiç është e ngjashme me ndryshimet e mëdha që u vunë re në Shtetet e Bashkuara pas 11 shtatorit 2001, pra ndryshime strukturore dhe buxhetore. Tani ne po shohim një vendosmëri të qartë të qeverisë për të luftuar krimin e organizuar.”

Nga ana e tij, Zoti Busek thotë se krimi i organizuar është problem rajonal i cili duhet të luftohet në të gjitha vendet ballkanike.

//rd//

XS
SM
MD
LG