Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Shqipëria nuk po lufton sa duhet korrupsionin dhe trafiqet - 2003-03-13


Grupi Ndërkombëtar i Krizave nxori ditët e fundit raportin e tij të përvitshëm për gjendjen në Shqipëri ku paralajmëron se në vend vazhdojnë probleme të thella ekonomike dhe shoqërore që vënë në rrezik procesin politik. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Drejtori i organizatës, Mark Schneider, thekson se duhet punuar më seriozisht për vendosjen e shtetit ligjor dhe për të luftuar kundër korrupsionit, në mënyrë që t’u hapet rruga reformave për integrimin e vendit në strukturat evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Schneider, cilat janë disa nga problemet që u renditën në raportin vjetor të Grupit Ndërkombëtar të Krizave?

Mark Schneider: Grupi Ndërkombëtar i Krizave përgatiti një raport vjetor mbi gjendjen politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe arriti në përfundimin se fatkeqësisht, përsëri procesi politik është në rrezik krize, ndërkohë që shkallëzohen tensionet ndërmjet dy partive politike, veçanërisht duke iu afruar zgjedhjeve vendore të tetorit. Një ndër temat kryesore në raport është gjithashtu paaftësia për të zgjidhur nga njëra anë çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe nga ana tjetër me varfërinë, veçanërisht në zonat veriore të vendit.

Zëri i Amerikës: Përse mendoni se vazhdojnë këto probleme? A është kjo rrjedhojë e mosangazhimit të mjaftueshëm të autoriteteve, lidhjeve që mendohet se ekzistojnë ndërmjet Tiranës zyrtare dhe krimit apo ndoshta është mungesa e institucioneve, kapaciteteve të nevojshme për të luftuar këto probleme?

Mark Schneider: Për fat të keq, gjendja është rezultat i të tre këtyre faktorëve. Ky është objektivi më i vështirë: vendosja e shtetit ligjor, sistemit të pavarur gjyqësor, e një sistemi politik të pavarur nga rryshfetet dhe korrupsioni. Ky është një problem që ekziston në të gjithë botën dhe vazhdon të jetë problem në Shqipëri, qoftë në drejtim të ndërtimit të institucioneve ashtu edhe në drejtim të lidhjes ndërmjet politikës dhe krimit. Ka njerëz që janë angazhuar në zgjidhjen e këtij problemi, por nuk po bëhet sa duhet.

Zëri i Amerikës: Në raport ju vini në dukje se një ndër pengesat për luftimin e këtyre problemeve është mentaliteti i klasës politike. Çfarë reformash institucionale prisni nga Tirana zyrtare në këtë drejtim?

Mark Schneider: Mendoj se emërimet mbi baza meritash do të ishin një fillim i mirë. Një tjetër drejtim është gjetja e mënyrave për të përmbushur interesat kombëtare, dhe jo thjesht interesat individuale apo partiake, si dhe gjetja e mënyrave për të realizuar reforma që do ta çojnë vendin drejt integrimit në strukturat evropiane. Pa dyshim, Shqipëria kërkon të realizohet sa më shpejt Marrëveshja e Asocim Stabilizimin me Bashkimin Evropian. Për këtë kërkohen reforma institucionale që nuk janë përmbushur akoma. Një ndër zhvillimet shumë shqetësuese është konfrontimi me mjetet e pavarura të shtypit. Shpresoj se kjo çështje do të trajtohet në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për të arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian. Për këtë kërkohet respektimi dhe liria e shtypit.

Zëri i Amerikës: Zoti Schneider, të ndalemi pak më gjatë te problemi i medias. Si mendoni se ka ndikuar kjo fushatë konfrontimesh nga qeveria me median në bërjen publike të të metave të qeverisë në zgjidhjen e këtyre problemeve? Mark Schneider: Në raport përmendet raste kur mjetet e pavarura të shtypit u nënshtrohen hetimeve financiare nga autoritetet shtetërore. Kjo krijon presion mbi ta si biznese dhe i përcjell një mesazh sektorit privat që këto mjete shtypi nuk shihen me sy të mirë nga qeveria në mënyrë që bizneset të mos i shfrytëzojnë për reklama. Kjo shton presionin financiar dhe sjell si rezultat pakësimin e kritikave që duhet të jenë të pranishme në një shoqëri demokratike.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga objektivat afat-shkurtëra që prisni të përmbushen nga autoritetet, të cilat mundsësisht t’i shihni të zgjidhura në përgatitjen e raportit vjetor vitin e ardhshëm.

Mark Schneider: Ne renditëm një numër rekomandimesh për pakësimin e varfërisë në zonat veriore, ngritjen e një agjencie për zhvillim rajon, e cila të jetë në gjendje të kanalizojë ndihmat drejtpërdrejtë në këto zona të varfra veriore, forcimin e institucioneve në këto zona, forcimin e sistemit arsimor dhe atij shëndetsor dhe përmirësimin e infrastrukturës. Mendoj se është pozitiv fillimi i regjistrimit të pakicave, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që këtyre grupeve t’u krijohen kushtet për përfaqësim të plotë. //ad//

XS
SM
MD
LG