Lidhje

Thaçi: Komisioni për çështje teknike, zvarritje e bartjes së kompetencave - 2003-03-07


Zhvillimet e fundit ne Serbi dhe Kosove, duket se po fillojnë t’i vënë politikanët shqiptarë përpara provave të mëdha. Sa të aftë do të jenë ata t’i përballojnë sfidat me të cilat do të ndeshen në të ardhmen? Kryetari i Partise Demokratike të Kosoves, zoti Hashim Thaci foli për këto çështje të premten, në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës.

EB: Zoti Thaci, duket se pala serbe ka hartuar tashmë një strategji për Kosovën; ka pranuar thirrjen e administratorit Steiner dhe shpalli kryetarin e delegacionit. Si janë përgatitjet në radhët e palës shqiptare, a jeni ju gati për bisedime teknike?

HTH: Mendoj se procesi në të cilin po kalojmë është mjaft i rëndësishëm edhe për zhvillimet brenda në Kosovë, por edhe në raport me vendet që e rrethojnë Kosovën, si edhe për integrimet perëndimore. Kosova është duke zhvilluar një debat të brendshëm ndërpartiak, por edhe institucional. Besoj se gjatë këtij debati do të dalin konluzionet e duhura dhe të drejta në përputhshmëri me interesat e vendit dhe qytetarëve dhe në këtë kuadër do të shtrihet ky debat edhe në raport me UNMIK-un në mënyrë që të kemi një përputhshmëri opinionesh dhe prioritetesh dhe pastaj do të kemi natyrisht një përgjigje të duhur, në kohën e duhur nga zyrtarët që udhëheqin institucionet e Kosovës. Besoj se në këtë drejtim do të japin një kontribut të rëndësishëm edhe zyrat diplomatike që janë në Prishtinë.

EB: Zoti Thaci, në të kaluarën, edhe në disa momente shumë kritike për Kosovën, qëndrimi i palës shqiptare është dëmtuar nga mosmarrëveshjet e brendshme midis forcave politike. Si është gjendja sot, a keni ju ende mosmarrëveshje, sa serioze janë ato dhe për cilat çështje kryesore?

HTH: Në Kosovë ka pluralizëm politik për fat dhe natyrisht ka edhe opinione të ndryshme për probleme të ndryshme dhe për mundësinë e zgjidhjes së këtyre çështjeve tani kemi institucionet. Në parlament janë të përfshira shumica e partive politike shqiptare dhe joshqiptare, edhe minoritarët serbë. Natyrisht janë duke u diskutuar çështje mjaft të ndjeshme, mirëpo në të njëjtën kohë është duke u ruajtur uniteti në çështjet më të rëndësishme për vendin.

EB: Sot zoti Steiner dhe kryeministri Rexhepi shpallën krijimin e një komisioni për t’u dhënë institucioneve vendore më shumë kompetenca. A jane të përgatitura institucionet tuaja për të përballuar përgjegjësi më të mëdha? Siç mund ta dini, disa kritikë thonë se edhe në ato fusha ku shqiptareë kane më shumë pushtet, puna e tyre nuk ka qenë në nivelin e duhur.

HTH: Unë nuk pajtohem me ata që thonë se kosovarët nuk janë të gatshëm dhe nuk janë të aftë për të udhëhequr institucionet. Unë jam i bindur se kosovarët janë të aftë, janë të përgatitur, kanë energji dhe dije për të udhëhequr dhe për të marrë përgjegjësitë që u takojnë. Natyrisht në këtë fazë nevojitet edhe bashkëpunimi i ngushtë me strukturat e UNMIK-ut, ndërsa përsa u përket kompetencave, mendoj që ato janë të definuara shumë qartë nga korniza kushtetuese, mirëpo për fat të keq edhe ato kompetenca që u jepen kosovarëve në bazë të kornizës kushtetuese, nuk i kanë ende në duart e veta kosovarët. Për këtë arsye më duket çështja e këtij komisioni si një zvarritje e bartjes së kompetencave nga UNMIK-u tek kosovarët.

EB: Zoti Thaci, të kthehemi edhe një herë tek çështja e bisedimeve me Beogradin. Kryeministri Xhinxhic ju ka përmendur ju konkretisht, si politikanin me të cilin ai mund të bisedojë për të arritur zgjidhje të ndryshme, perfshirë edhe ndarjen e Kosovës. A po shqyrojnë shqiptarët zgjidhje të tjera veç pavarësisë, për shembull një ndarje të mundshme, një shkëmbim territoresh, bashkim me Shqiperinë, ose alternativa të tjera?

HTH: Janë shprehur opinione të ndryshme për mundësinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por dihet opinioni dhe qëndrimet e popullit të Kosovës, institucioneve të vendit. Kosova ka institucionet, e ka të qartë pozicionin e vet dhe e ka qartësuar. Përsa u përket prononcimeve të kryeministrit serb, mendoj se ato janë reflektime që kërkojnë studim të thellë dhe përgjigje natyrisht konstruktive. Askush nuk është kundër dialogut, përsa kohë që dialogu të jetë i nivelit të barabartë dhe të kemi një diskutim të çështjeve me interes të përbashkët dhe për realizimin e standardeve perëndimore që janë në interes edhe të Kosovës, edhe të Serbisë, por në të njëjtën kohë do të vazhdohet në kuadër të kësaj edhe për hapjen e mundësive për të diskutuar për çështje të tilla, edhe me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe pastaj duke u çarë ky mur, ky izolim i Kosovës, që i është bërë nga vendet që e rrethojnë apo nga një vetëizolim që ne vetë e kemi vënë, mund të diskutohet natyrisht edhe për integrimin e Kosovës në strukturat perëndimore, sepse ne pretendojmë dhe do të integrohemi në strukturat euroatlantike, por jo kështu të izoluar siç jemi tani. //kk

XS
SM
MD
LG