"Regjimi i Irakut nuk po çarmatoset siç e kërkonte vota e njëzëshme e Këshillit të Sigurimit vjeshtën e kaluar. Kundërshtimi i Sadam Huseinit për të përmbushur kërkesat e botës së qytetëruar është kërcënim ndaj paqes dhe qëndrushmërisë," tha presidenti Bush duke shpjeguar përse Britania, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës, paraqitën një projektrezolutë të re në sesionin e djeshëm me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit në New York.
Në projektrezolutë thuhet se Iraku ka kryer “shkelje materiale” të detyrimeve të tij për çarmatim dhe u bëhet thirje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të dalin me përfundimin se Sadam Huseini nuk e shfrytëzoi shansin e fundit që i ishte dhënë për të hequr dorë nga armët e shkatërrimit në masë.
Presidenti Bush paralajmëroi se Kombet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin ndikimin e tyre nëse nuk e miratojnë rezolutën që e paralajmëron Irakun për pasoja serioze nëse nuk çarmatoset:
“Ka ardhur çasti që kjo organizatë të provojë vlerën e saj, ndërkohë që bota përballet me kërcënimet e shekullit të 21-të. A do të jetë kjo një organizatë që i thotë me seriozitet fjalët? Pa dyshim ne shpresojmë se po. Por në një mënyrë ose një tjetër, për hir të paqes dhe sigurimit të popullit amerikan Sadam Huseini do të çarmatoset,” tha presidenti Bush.
Por Franca dhe Gjermania e hodhën menjëherë poshtë projektrezolutën e re. Pas takimit me kancelarin gjerman Gerhard Shroder të hënën në Berlin, presidenti francez Zhak Shirak tha se është dakord me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, të cilët nuk mendojnë se rezoluta është e nevojshme dhe duan t’u japin më shumë kohë inspektimeve të Kombeve të Bashkuara. Nuk pritet që projektrezoluta të hidhet në votë për dy javë.
Të hënën në Irak, inspektorët e Kombeve të Bashkuara vazhduan kërkimet për armë të shkatërrimit në masë si dhe për inventarizimin e raketave Al-Samoud-2 të Irakut, të cilat Kombet e Bashkuara thonë se duhet të shkatërrohen pasi e kapërcejnë rrezen e veprimit prej 150 kilometrash të përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit. Iraku thotë se çështja po shqyrtohet seriozisht dhe se të dielën testoi një prej raketave për të treguar se ajo nuk e kalon rrezen e veprimit.
Ndërkaq, një ekip ekspertësh jugafrikanë për çarmatimin u takuan të hënën me zyrtarët irakianë për shkëmbim përvoje, meqë Afrika e Jugut është përmendur nga Kombet e Bashkuara si shembull pozitiv, për eliminimin e armëve të saj të shkatërrimit në masë në vitet ’80.
Në rast se Shtetet e Bashkuara angazhohen në luftë për të detyruar Irakun të çarmatoset, ato synojnë të dislokojnë trupa dhe armatime në Turqinë fqinje, gjë që po debatohet nga qeveria turke. Të hënën kabineti turk miratoi dislokimin e trupave amerikane në Turqi dhe më pas propozimi iu paraqit parlamentit për miratim.
//ad//