Lidhje

Xhinxhiç: midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të vendoset dialogu - 2003-02-14


Kryeministri i Serbisë Zoran Xhinxhiç i tha Zërit të Amerikës se ka ardhur koha të vendoset dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Beograd, Fahri Musliu, kryeministri Xhinxhiç tha se Beogradi e Prishtina duhet të bashkëpunojnë, përndryshe do të dëmtonin njëri-tjetrin. Zoti Xhinxhiç tha se çështja e statusit të Kosovës duhet zgjidhur në funksion të integrimeve evropiane dhe se nismat e tij të kohëve të fundit kanë për qëllim të sensibilizojnë bashkësinë ndërkombëtare që edhe ajo të mendohet se ç’pamje duhet të ketë rajoni pas dhjetë vjetësh.

F.M.: Zoti kryeministër, kohët e fundit jeni hedhur në ofensivë me disa kërkesa për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Është miratuar edhe Karta kushtetuese e Bashkësisë Serbi-Mal i Zi, ku Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, gjë për të cilën nuk janë pyetur shqiptarët. A mund të na thoni se cili është qëllimi i këtyre nismave, si i komentoni reagimet e qarqeve ndërkombëtare e shqiptare, dhe si e shihni ju zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Kryeministri Xhinxhiç: Mendoj se pas gati katër vjetësh që kur bashkësia ndërkombëtare i mori të gjitha kompetencat në Kosovë, ka ardhur koha të shtrohet çështja e ndojnë zgjidhjeje të qëndrueshme. Gjithësesi nuk është herët për të shqyrtuar opcionet dhe për të parë pasojat e tyre. Zgjidhje afatgjate mund të jetë vetëm ajo që respekton interesat e të gjitha palëve, pra të Beogradit dhe të Prishtinës. Për një kohë të gjatë, zgjidhjet kanë qenë të mangëta sepse janë respektuar vetëm interesat e atëherëshme të Beogradit, dhe kjo ka sjellë pasoja negative. Por nëse tani themi se duhen respektuar vetëm interesat e Prishtinës, kam frikë se edhe kjo mund të sjellë pasoja që nuk do të jenë të mira as për rajonin tonë as për situatën në vendet fqinje. Prandaj, kërkesa ime kryesore është që të vendoset dialogu dhe askush nuk duhet të frikësohet nga kjo, ndonëse të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare po thonë se kjo nuk është një temë e përshtatshme. U kam thënë bashkëbiseduesve të mi në Londër, Bon dhe gjetkë se situata nuk është e qëndrueshme dhe i kam pyetur se si e mendojnë ata gjendjen pas pesë-gjashtë vjetësh. Kam përshtypjen se njerëzit nuk duan ta mendojnë këtë me shpresën se vetë zhvillimet e ngjarjeve do të sjellin ndojnë zgjidhje të mirë. Por çfarë po ndodh në Kosovë? Bashkësia ndërkombëtare ka filluar t’ja kalojë kompetencat strukturave vendore. Brenda një kohe të shkurtër, sovraniteti i Kosovës do të ndryshojë dha ajo do të kthehet në një shtet faktikisht të pavarur. Atëherë do të shtrohet çështja e bashkekzistencës së Kosovës së pavarur dhe e Serbisë së pavarur, pra do të kemi dy sisteme të pavarura para të cilëve do të shtrohen kërkesat për harmonizim. Kjo për Serbinë dhe për mua, që jam zotuar të mbroj interesat e shtetit, është e papranueshme për tre arësye: se Rezoluta 1244 praktikisht po anashkalohet sepse po paragjykohet statusi përfundimtar; së dyti se do të vihemi para faktit të kryer i cili e bën Serbinë peng të një Kosove të tillë; së fundi, unë nuk shoh se si mund t’i harmonizojmë shpejt këto dy sisteme. Kjo, edhe për shqiptarët e Kosovës nuk është zgjidhje e mirë, sepse edhe ata do të bëheshin pengje të Serbisë. Pra nisma ime ka për qëllim që të sensibilizojë bashkësinë ndërkombëtare që edhe ajo të mendohet se ç’pamje duhet të ketë rajoni pas dhjetë vjetësh dhe që gradualisht të fillojmë bisedimet për këtë temë. Unë kam ide të caktuara por si fillim po kërkoj që problemi të mos lihet në heshtje, sepse me heshtje askush nuk fiton.

FM.: Ju thatë se Serbia vazhdon të jetë peng i Kosovës, mirëpo edhe serbët e atjeshëm janë pengje të politikës së Beogradit. Pse pushtetarët e tanishëm demokratë serbë nuk shkëputen nga politika dhe praktika e regjimeve të mëparshme serbe përsa i përket statusit të Kosovës, kur rreth 99 përqind të shqiptarëve nuk duan të jetojnë nën sundimin e Beogradit?

Kryeministri Xhinxhiç: Nëse pyesim se çfarë nënkupton shprehja 99 përqind e serbëve apo e kroatëve në Bosnjë, e maqenonasve apo e shqiptarëve në Maqedoni apo diku tjetër dhe nëse kjo bëhet parim, atëhere do të kishim tronditje të mëdha. Mendoj se duhet t’i pyesim edhe serbët në Serbi edhe shqiptarët në Kosovë. Edhe njëra palë edhe tjetra mund të jenë 99 përqind për ndonjë zgjidhje që mund të dukej legjitime nga aspekti i tyre, por jo e mirë nga pikpamja e kompromisit. Kur filloi kriza në Bosnjë atje jetonin 18 përqind kroatë; kur u hartuan listat e votuesve për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, doli që 18 përqind e zgjedhësve ishin serbë. Serbët në këtë rast u konsideruan thjesht si pakicë kombëtare që duhet të merrte pjesë në disa institucione, pa kurrfarë të drejte kolektive. Ne nuk kërkojmë që serbët e atjeshëm të kenë të drejtën e shkëputjes por që atyre t’u njihen të drejta kolektive si një faktor konstituiv dhe jo thjesht si një pakicë. Prandaj kur flasim për kompromis, ai duhet të gjendet midis Beogradit dhe Prishtinës. Unë nuk jam që të mbyllim sytë përpara realitetit dhe të themi se Kosova është krahinë në Serbi. Jo. Ajo që thuhet në Kartën Kushtetuese (të Serbisë dhe Malit të Zi) është përshkrim i një gjendjeje ligjore dhe i përmbahet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ideja ime është që çështjen e statusit apo të sovranitetit ta zgjidhim në funksion të integrimeve evropiane ku, për nga përkufizimi do të jemi rajone, dhe ku çështja e sovranitetit shtrohet krejt ndryshe. Nëse këtë shans e humbim për shkak të sovranitetit klasik atëherë kjo do të na kushtonte të gjithëve në rajon, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë. Integrimi ynë në Evropë do të shtyhej 20 ose 30 vjet. Njerëzit tanë më të mirë do të largoheshin sepse nuk do të shihnin mundësi zhvillimi. Ne të gjithë do të vuanim.

F.M.: Sikur sot bashkësia ndërkombëtare tua dorëzonte juve Kosovën, a keni ndonjë ide se si do ta organizonit jetën atje dhe me cilin politikan shqiptar do të dëshironit të bisedonit për statusin e Kosovës?

Kryeministri Xhinxhiç: Kjo do të ishte një kafshatë e madhe. Edhe sikur shqiptarët e Kosovës të kërkonin që Beogradi të administronte Prishtinën, unë do tu kisha thënë: jo, faleminderit. Por unë do të kërkoja arritjen e një kompromisi, i cili në Kosovë duhet të jetë i ngjashem me Federatën myslimano-kroate në Bosnjë, ku si bashkësia shqiptare edhe ajo serbe të kishin statuset e tyre dhe të përpiqeshin ta përcaktonin vetë rendin në Kosovë. Këtë sistem ne në Serbi do ta pranonim si një status asimetrik, pra që (Kosova) të ishte më shumë se krahinë, por më pak se shtet i pavarur. Dhe pastaj, të shihnim brenda një kohe të caktuar nëse do të funksiononte kjo me ndihmën e Beogradit e të bashkësisë ndërkombëtare, para se gjithash në kuptimin ekonomik. Pra, kur unë shtroj çështjen e statusit të Kosovës, shtroj çështjen e statusit të Serbisë. Sepse si mund ta përcaktonim statusin e Serbisë kur nuk dimë se cili është territori i saj, si mund ta përcaktojmë elektoratin kur nuk e dimë se cili është ai. Prandaj duhet të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të mund të merremi me çështjet me rëndësi jetike, si ekonomia. Mirëpo, nëse politikanët shqiptarë, thonë se nuk u intereson kurrfarë bashkekzistence, por u intereson ose pavarësia ose asgjë, ne atëherë do të kërkonim që një konferencë të bënte përkufizimin dhe ndarjen e caktuar të Kosovës, sepse shumica e serbëve, apo 99 përqind e tyre, nuk duan të jetojnë në një shtet të tillë, dhe këtë duhet ta respektojmë. Pra, kjo është zgjidhja e fundit që nuk e do as bota, e ndoshta as ne, por nëse nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë më mirë kështu se sa Kosova të jetë një kërcënim i vazhdueshëm që na merr energjinë. Për këtë duhet biseduar me ata politikanë të cilët janë në gjendje të zbatojnë ato për të cilat ne merremi vesh. Tani për tani një prej tyre është zoti Hashim Thaçi, i cili ka një parti të fortë, ka fuqi dhe vullnet. Sepse nuk ia vlen të bisdedosh me organizatat joqeveritare, ose me shqiptarët me orientim kozmopolit, ashtu siç nuk do të ishin ata të interesuar të bisedojnë me ndonjë serb i cili thotë se do të jetonte në Kosovë pavarësisht se ç’ndodh. Pra duhet të arrijmë marrëveshje në Beograd dhe Prishtinë me ata që mund të qëndrojnë prapa ndonjë vendimi, të cilët janë në gjendje të përballojnë edhe kritikën e opinionit në të mirë të ardhmërisë. Por kam frikë se politikanë të tillë mund të ndikohen nga publiku ose nga media. Për shembull, në Serbi është më lehtë të thuhet se “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kosovën nuk e japim”, “ajo do të mbetet jona, dhe është e pushtuar përkohësisht”, dhe me këtë të fitosh shumicën. Edhe politikanët shqiptarë në Kosovë do ta kishin më lehtë të fitonin mbështetje nëse thonë “ne jemi të pavarur”, “nuk na intereson Beogradi”, “ne do të bejmë negociata me Uashingtonin”. Kjo nuk është përspektiva. Neve në Kosovë na duhen politikanë që mendojnë në mënyrë strategjike, që e kuptojnë se marrëveshja me Beogradin është ai element që i legalizon edhe ata. Pra më mirë të bëhen kompromise, se sa të kërkohet maksimumi dhe gjendja të mbetet e pandryshuar. Nëse brenda dhjetë viteve të ardhshme nuk arrijmë të integrohemi në Bashkimin Evropian, kjo do të ishte humbja më e madhe për të gjithë politikanët në këtë rajon.

FM.: Zoti kryeministër a jeni ju i gatshëm si politikan pragmatik, që tu kërkoni falje shqiptarëve për të këqiat që u kanë bërë regjimet e mëparshme serbe gjatë gati një shekulli të kaluar. Dhe sa janë mundësitë për arritjen e një pajtimi historik midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, ashtu siç kanë bërë gjermanët dhe francezët?

Kryeministri Xhinxhiç: Mendoj se gatishmëria ekziston, dhe natyrisht unë jam i gatshëm të shpreh keqardhje të madhe për viktimat e shumta. Për mua kjo nuk është e vështirë. Sepse edhe unë me familjen time bëjmë pjesë midis atyre që kanë vuajtur, dhe e kuptoj se ç’do të thotë të jesh qytetar i dorës së dytë në vendin tënd. Mirëpo ne, si ai brez njerëzish që nuk jemi të ngarkuar me një faj të tillë duhet të tregohemi të vendosur dhe të bëhemi faktor kompromisi i cili do të kënaqte të gjitha palët. Këtu nënkuptoj qëllimet e larta, të tilla si modernizimi i shoqërive tona, përparimi i ekonomive, i jetës së njerëzve të zakonshem, dhe jam i bindur se ky është ai motiv që mund të na bashkojë. Përsa i përket pyetjes se a mundet që serbët dhe shqiptarët të arrijnë një pajtim historik, mendoj se kjo nuk ka gjasa. Por ka mundësi që të arrijmë marrëveshje për të mbërritur së bashku objektivin e caktuar, meqë edhe njëri edhe tjetri janë popuj praktikë. Ne nuk jemi fondamentalistë. Prandaj edhe Beogradi e Prishtina duhet të bashkëpunojnë, përndryshe do të dëmtonin njëri-tjetrin. Tek e fundit rruga Prishtinë - Bruksel gjeografikisht kalon nëpër Beograd. Dhe nëse kjo rrugë mbyllet, rrugët përreth janë më të vështira dhe më të shtrenjta. Pra, jam i bindur se kompromisi është i mundur, se ekstremizmi sjell përkohësisht leverdi, por në kuptimin afatgjatë i çon në disfatë të gjitha palët. Ne jemi një brez që mund të bejmë kompromis, përndryshe do të mbajmë përgjegjësi për shansin e humbur.//ii

XS
SM
MD
LG