Kryeministri i Britanisë, Tony Blair, ndodhet në Uashington, ku do të zhvillojë bisedime me presidentin Bush, mbi hapat e tjerë në ballafaqimin me Irakun.
Të dy udhëheqësit do të takohen të premten, më 31 janar, në vendpushimin presidencial Camp David.
Zoti Blair është mbështetësi më i fortë evropian i qendrimit të ashpër të presidentit Busah ndaj Irakut. Kryeministri britanik i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësit irakian, Sadam Husein, që të veprojë në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigiurimit të OKB-së që i kërkon atij të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë. Mirëpo, zoti Blair e ka bërë gjithashtu të qartë se ai preferon miratimin e një rezolute të dytë që do të autorizonte përdorimin e forcës ushtarake kundër Irakut.
Zoti Blair tha të enjten, më 30 janar, se çarmatimi i Irakut është i pashmangshëm dhe se i takon udhëheqësit i tij, Saddam Husseinit, që të vendosë nëse kjo do të kryhet në mënyrë paqësore apo me forcë.
Udhëheqësi britanik i bëri këto komente gjatë një ndalese në Madrid, ku ai zhvilloi bisedime me kryeministrin spanjoll, Jose Maria Aznar.
Zoti Aznar ishte nismëtari i një letre të hapur që u nënshkrua edhe nga Britania dhe gjashtë vende të tjera evropiane, në të cilën deklarohet mbështetja për Shtetet e Bashkuara dhe i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të jetë i bashkuar në përpjekjet për të asgjësuar armët irakiane të shkatërrimit në masë.