Lidhje

Bisedime te metejshme mbi Korene e Veriut - 2003-01-15


Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James Kelly, zhvilloi bisedime me zyrtarë kinezë për të kërkuar ndihmën e Pekinit në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Zoti Kelly thotë se ai diskutoi sot rreth Koresë së Veriut me zëvendës-ministrin e jashtëm kinez, Li Zhaoxing. Diplomati amerikan nuk dha hollësi rreth bisedimeve, por pritej që ai t’i kërkonte Kinës të bëjë ç’është e mundur për të bindur Phenianin t’i japë fund programit të tij bërthamor.

Kina u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të zhvillojnë bisedime me Korenë e Veriut për t’i dhënë fund krizës dhe ka shprehur gatishmërinë të ndërmjetësojë dhe t’i organizojë bisedimet.

Ndërkohë, Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë javën tjetër në Seul. Ministri koreanojugor i Bashkimit tha se bisedimet katër ditëshe do të fillojnë më 21 janar.

Ky do të jetë takimi i tillë i parë që kur Pheniani kërcënoi muajin e kaluar të raktivizojë një instalim bërthamor, i aftë për të prodhuar uranium për armët. Koreja e Jugut thotë se gjatë këtyre bisedimeve do t’i kërkojë Phenainit që t’i japë fund programit bërthamor. //lk//

XS
SM
MD
LG