Lidhje

Subvencionet për fermerët dhe vendet në zhvillim - 2003-01-15


Që nga vitet ’30, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë ndihmuar fermerët me fonde shtetërore. Këto politika u zbatuan si pasojë e mungesave ushqimore, fatkeqësive natyrore dhe paqëndrueshmërisë së tregjeve. Synimi ishte të rritej prodhimi, të garantohej një standard i përshtatshëm jetese për fermerët, të arrihej qendrueshmëri e tregut, të sigurohej furnizimi i rregullt me ushqime si edhe çmime të arsyeshme për konsumatorët.

Aktualisht, ndihma financiare për fermerët amerikanë ka arritur nivelet më të larta, kurse Bashkimi Evropian shpenzon rreth gjysmën e buxhetit për programin e ndihmave për fermerët. Ndihma për fermerët merr forma të ndryshme, që nga poliitka e çmimeve të prodhimeve bujqësore në treg, deri tek kompensimi i drejtpërdrejtë i fermerëve për prodhime të caktuara.

Qeveritë mund të sigurojnë kredi eksporti, duke u krijuar mundësinë fermerëve nga vende të pasura, me njësi monetare të qëndrueshme dhe mallra me çmime relativisht të larta, t’i shesin prodhimet e tyre në tregjet botërore, me çmime më të ulëta dhe më konkuruese. Mirëpo, kritikët thonë se kjo ndihmë jo vetëm që përbën një barrë për taksapaguesit në vendet e zhvilluara, por subvencionet i lejojnë fermerët amerikanë dhe evropianë t’i shesin prodhimet e tyre në tregjet botërore me një çmim më të ulët se kostoja reale e mallit. Kjo e bën të pamundur për prodhimet lokale të konkurojnë në treg dhe si rrjedhim vendeve në zhvillim u mohohet një mjet shumë i rëndësishëm për zhvillim ekonomik.

Por Carmel Cahill e Organizatës për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik thotë se për varfërinë në vendet në zhvillim, nuk duhen fajësuar vetëm subvencionet bujqësore të vendeve të zhvilluara. Mungesa e infrastrukturës, lufta, sëmundjet, thatësira dhe trazirat politike janë faktorë kryesorë që shkaktojnë probleme ekonomike. Megjithatë ajo shton se politikat e subvencionit i dëmtojnë vendet e varfëra. Duke i lidhur subvencionet me prodhimin, fermërët amerikanë dhe evropianë, mund të injorojnë forcat e tregut. Ata e kanë çmimin të sigurtë dhe mund të mbysin tregun me prodhime të lira duke i ulur çmimet edhe më tej. Zonja Cahill vë në dukje se rreth 70 për qind e popullisë në vendet në zhvillim merret me bujqësi. Prandaj, subvencionet bujqësore të vendeve të pasura, duke shkurajuar investimet në sektorin e bujqësië në vendet në zhvillim, përjetësojnë praktika të paefektshme dhe të papërshatshme bujqësore në zonat fshatare të këtyre vendeve. "Në të gjitha vendet në zhvillim, - tha zonja Cahill, -zakonisht një numër i madh i popullsisë merret me bujqësi, shumë prej tyre në ferma të vogla dhe vetëm sa për të siguruar jetesën e tyre e jo për të shitur në treg. Pra, është e qartë, se shitja me çmim të lirë e prodhimeve bujqësore nga vendet e zhvilluara në vendet në zhvillim, jo vetëm nuk nxit rritjen ekonomike të këtyre vendeve, por përkundrazi i çon prodhuesit e vegjël drejt varfërisë."

Megjithëse, përkrahësit politikës së subvencioneve për fermerët amerikanë pretendojnë se nga ndihmat përfitojnë fermerët e vegjël amerikanë, zonja Cahill shton se në fakt, ata nuk përfitojnë prej tyre. Sipas saj, 88 përqind e ndihmave u shkojnë 25 përqind të fermerëve më të mëdhenj. Në Bashkimin Evropian 25 përqindëshi më i pasur i fermerëve merr 77 përqind të subvencioneve.

Megjithë mosmarrëveshjet midis fermerëve të vegjël dhe firmave të mëdha bujqësore, qofshin ata amerikanë, apo evropianë, fermerët janë dakord se përderisa ata të jenë të aftë për të siguruar një çmim të drejtë për prodhimet e tyre, ndihmat financire do të vazhdojnë të jenë një e keqe e domosdoshme.// lk //

XS
SM
MD
LG