Lidhje

Harnish: te sqarohen standardet para statusit - 2003-01-13


Shefi i Misionit amerikan në Kosovë, Reno Harnish tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara që institucionet e Kosovës të marrin më shumë kompetenca nga UNMIK-u për të nxitur një nivel sa më të lartë autonomie dhe vet-qeverisjeje. Në një intervistë me kolegun tonë Elez Biberaj, zoti Harnish shprehu gjithashtu nevojën e sqarimit të mëtejshëm të standarteve që duhet të përmbushen në Kosovë para se të fillojë procesi i përcaktimit të statusit të saj.

EB: Zoti Harnish, ju po mbushni gati gjashtë muaj në postin e shefit të misionit amerikan në Prishtinë. A mund t’na jepni një vlerësim të përgjithshëm të gjendjes në Kosovë, dështimet dhe sukseset:

RH: Mendoj se kemi realizur dy gjëra: së pari do të përmendja vazhdimin e përpjekjeve për vendosjen e sundimit të ligjit. Shërbimi Policore i Kosovës ka 5 mijë e 300 trupa. Por ç’është më e rëndësishme, këto forca po marrin përsipër funksione drejtuese. Drejtimi i dy stacioneve të policie është tani në duart e kësaj force. Një tjetër sukses i rëndësishëm është kthimi i refugjatëve dhe të shpërngulurve. Kjo është një çështje e rëndësishme politike. Me rëndësi ishte vazhdimi i fondeve nga Shtetet e Bashkuara, si dhe përkrahja e personit të duhur që të vihej në krye të përpjekjeve të UNMIK-ut për të ndihmuar në kthimin e refugjatëve. Lidhur me këtë çështje zhvilluam edhe një takim në Bruksel për të nxitur çdo vend të ndihmonte në këtë drejtim. Pres që viti 2003 të jetë i mbarë për sa i përket numrit të të kthyerve. Në vitin 2003 do të dëshiroja të shihja gjithashtu kalimin e kompetencave nga UNMIK-u në duart e institucioneve të Kosovës, gjë që është me rëndësi për udhëheqjen në Kosovë. Ka çështje si buxheti, për të cilat nuk është e qartë se cilat kompetenca janë tani në duart e autoriteteve të Kosovës. Një çështje tjetër është zhvillimi ekonomik. Mendoj se elementi kyç për përparim në Kosovë është privatizimi. Ky proces është mjaft i vështirë si rrjedhojë e pretendimeve mbi pronat, por komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës duhet të punojnë së bashku për të ecur përpara në këtë drejtim në vitin 2003.

EB: Zoti Harnish, udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës gjithënjë e më tepër po kundërshtojnë status quon dhe po kërkojnë kalimin e kompetencave nga UNMIK-u në institucionet vendore. Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet aktuale midis administratës ndërkombëtare dhe institucioneve të shqiptarëve të Kosovës si qeveria, presidenca dhe parlamenti?

RH: Së pari t’i japim meritën që i takon Administratorit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Michael Steiner. Ai është përfaqësuesi i komunitetit ndërkombëtar dhe i takon të marrë udhëheqjen për çështje që lidhen me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ai është personi i duhur në pozitën e duhur. Megjithatë, zoti Steiner kryeson një sistem të gjerë burokratik. Vendet e fuqishme perëndimore duhet të ndihmojnë UNMIK-un ta kuptojë se ka ardhur koha për t’ia kaluar gradualisht kompetencat institucioneve të Kosovës, për arsyen e thjeshtë se ne ndodhemi atje për të nxitur një nivel sa më të lartë autonomie dhe vet-qeverisjeje. T’i kthehem pjesës tjetër të pyetjes suaj: mendoj se ky proces është i përballueshëm. Autoritetet ndërkombëtare janë shumë dinamikë dhe të afta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përfaqësuesit e institucioneve vet-qeverisëse. Pra ky proces mund të kontrollohet. Mua do të më pëlqente që procesi të ecte në formën e këshillimeve. Në këtë periudhë kur ndeshemi me një numër çështjesh si kthimi i personave të zhvendosur, privatizimi, buxheti, komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet vendore duhet të përpiqen më shumë për të sheshuar dallimet mes tyre.

EB: Ju përmendët çështjen e refugjatëve serbë. A mendoni se ekziston bashkëpunimi i nevojshëm nga pala shqiptare për kthimin e refugjatëve nga Serbia në Kosovë?

RH: Mendoj se shqiptarët e Kosovës mund të angazhohen në veprime më direkte dhe në forma të ndryshme. Komunat duhet të tregohen më mikpritëse ndaj këtyre personave. Shtetet e Bashkuara do të shpërblejnë me programe të posaçme ato komuna që lehtësojnë kthimin e të zhvendosurve. Do të dëshiroja që edhe autoritetet vet-qeverisëse të tregoheshin kaq origjinale në gjetjen e mënyrave për t’u shpjeguar komunave se kthimi i këtyre personave është i rëndësishëm jo vetëm për çështjen e statusit përfundimtar në të ardhmen, por edhe sepse kjo është mënyra e drejtë për të vepruar. Një qëndrim i tillë është i nevojshëm pasi ka pasur disa incidente jo-të këndshme muajt e fundit.

EB: Zoti Harnish, Megjithë kërkesat e shqiptarëve , megjithë këmbënguljen e shqiptarëve për pavarësi, deri më tani komuniteti ndërkombëtar nuk ka pranuar që ta shqyrtojë këtë çështje. A mund të na shpjegoni pse Shtetet e Bashkuara mendojnë se tani për tani nuk është koha që të merret në shqyrtim statusi përfundimtar i Kosovës. A besoni se më vonë do të jetë më lehtë që të zgjidhet ky problem?

RH: Unë do ta mbaja një qëndrim disi të ndryshëm. Mendoj se populli i Kosovës do të përkrahë çështjen e statusit përfundimtar kur të jenë krijuar kushtet që do të lejojnë ekzistencën e një shoqërie evropiane moderne. Aktualisht ende nuk janë mbyllur shumë plagë që shkaktoi konflikti i 1999, ende ka shumë çështje të pazgjidhura. Duhet t’u krijohet mundësia të kthehen të gjithë personave të zhvendosur. Në fronin ekonomik është problemi i papunësisë e cila arrin në nivelin 50 për qind. Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë nga afër me popullin e Kosovës për të filluar krijimin e disa prej kushteve për një shoqëri moderne. Po bëhet përparim në drejtim të vendosjes së sundimit të ligjit, por aktualisht nuk ka kontroll të plotë policor nga autoritetet vendore dhe ende mbetet punë për të bërë në drejtim të vet-qeverisjes dhe autonomisë. Nuk është fjala për përpjekje për ta shtyrë këtë çështje, por së pari duhen krijuar kushtet për sukses. Unë shpresoj që këtë vit të sqarohen më tej standartet që duhen përmbushur para statusit. Këto standarte nuk janë terma ligjore, por kushtet e ekzistencës së një shoqërie të suksesshme. Prandaj pres nga zoti Steiner dhe UNMIK-u të paraqesin kritere të qarta, dhe të gjithë së bashku: presidenti, kryeministri, parlamenti, kryetari i parlamentit në bashkëpunim me UNMIK-un të fillojnë të punojnë këtë vit për përmbushjen e këtyre kërkesave.

EB: Zoti Harnish, shqiptarët kudo në rajon, jo vetëm në Kosovë, po edhe në Shqipëri dhe në Maqedoni, i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si aleatët e tyre më të ngushtë. Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës kanë shfaqur shqetësim se me ndryshimin e përparësive në politikën e jashtme amerikane - me luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, tani çështja e Irakut dhe e Koresë së Veriut, se Kosova mund të lihet mënjanë nga administrata e presidentit Bush. Si u përgjigjeni këtyre shqetësimeve të palës shqiptare në Kosovë?

RH: Njerëzit ma kanë bërë këtë pyetje edhe në Prishtinë. Unë vë në dukje praninë e vazhdueshme të trupave tona në kampin Bondsteel, si dhe burimet e shumta që kemi angazhuar në Kosovë, të cilat, po të përllogariten për frymë popullsie mund të jenë ndër më të lartat në botë. Pra ne jemi të angazhuar në zhvillimin e çdo aspekti të shoqërisë në Kosovë. Përveç kësaj, këtu në Washington ka një angazhim të vazhdueshëm në shqyrtimin e çështjeve që kam përmendur. Ne duam që Kosova të jetë një sukses. Shtetet e Bashkuara ishin vendimtare në zgjidhjen e problemeve të Kosovës në 1999 dhe ne duam të vazhdojmë t’i zgjerojmë këto suksese më tej. Pres që viti 2003 të jetë produktiv. Ne kemi një mision të fortë dhe do të vazhdojmë të japim ndihmesën tonë për popullin e Kosovës në vitin e ardhshëm./ii

XS
SM
MD
LG