Lidhje

SHBA u ka dhënë inspektorëve informacion zbulimi - 2003-01-09


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se Shtetet e Bashkuara kanë filluar t’u japin inspektorëve të OKB-së për armët informacion të rëndësishëm zbulimi mbi programet irakiane të armëve.

Në një intervistë me gazetën Washington Post, sekretari Powell tha se ky proces që ka filluar para disa ditësh, i ka bërë inspektorët të tregohen më agresivë dhe më të hollësishëm në kërkimin e tyre për armë të shkatërrimit në masë.

Mirëpo, zoti Powell tha se Washingtoni ende nuk u ka dhënë inspektorëve një sasi informacioni shumë delikat, pasi kërkon të sigurohet që inspektorët mund ta shfrytëzojnë dhe ta ruajnë informacionin që iu është dhënë deri tani.

Ndërkohë, kryeinspektori i OKB-saë për armët, Hans Blix, po përgatitet t’i paraqesë sot Këshillit të Sigurimit një raport mbi deklaratën irakiane për armët, në të cilën Bagdadi pretendon se nuk ka armë të shkatërrimit në masë.

Pritet që zoti Blix t’i thotë Këshillit se kërkohen shpjegime rreth mungesave të mundshme në raportin irakian prej 12 mijë faqesh, përfshirë shqetësimet rreth bombave të fshehura të gazit helmues.

Zoti Blix dhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Muhamed Elbaradei, pritet të theksojnë se inspektorët e armëve nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për të zbuluar armë të ndaluara. //kk//

XS
SM
MD
LG