Lidhje

Presidenti i Serbisë, Milan Milutinoviçit  pritet të ekstradohet në Hagë për krime lufte - 2002-12-30


Duke folur në televizionin shtetëror, zëvendës ministri jugosllav i drejtësisë, Nebojsha Sarkiç nuk përjashtoi mundësinë që presidenti Milan Milutinoviç, i cili pak orë më parë ishte president i Serbisë, t’i kalojë krishlindjet ortodokse në burgjet e gjykatës së Hagës.

Zoti Sarkiç tha se beson që Serbisë do t’i kërkohet të fillojë procedurat e ekstradimit së shpejti dhe ai pret që qeveria të përgjigjet brenda dy ditësh.

Zyrtarët jugosllavë kanë lenë të kuptohet se transferimi është i mundur pasi imuniteti i zotit Milutinoviç u hoq të djelën, kur përfundoi mandati i tij si president.

Prokurorët e Kombeve të Bashkuara kanë ushtruar trysni mbi Beogradin që ta ekstradojë zotin Milutinoviç nën akuzat për krime kundër shqiptarëve në vitin 1999 gjatë konfliktit në Kosovë.

Transferimi nuk është i padebatueshëm. Ministri serb i drejtësisë, Vladan Batiç i ka bërë thirrje kryeprokurores Carla del Ponte të japë dorëheqjen, pasi sipas tij ajo ka tendencë të jetë kundër serbëve.

Zoti Batiç tha se zonja Del Ponte ka akuzuar vetëm serbët për krimet e kryra gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 dhe nuk ka ndjekur edhe të dyshuarit shqiptarë.

Zëdhënësja e zonjës Del Ponte i kundërshtoi këto akuza duke i cilësuar ato, sipas fjalëve të saj, një lojë e drejtuar në opinionet publike në vendet që nuk duan ti binden ligjit ndërkombëtar.

Ekstradimi i zotit Milutinoviç do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm për prokurorët e Hagës. Ai konsiderohet si pjesë e një rrethi të brendshëm të ish presidentit jugosllav Slobodan Miloseviç i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte.

Prokurorët e Kombeve të Bashkuara gjithashtu shpresojnë se ekstradimi i zotit Milutinoviç do ti detyrojë autoritetet lokale të dorëzojnë edhe të dyshuarit e tjerë, përfshi gjeneralin e serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç.

Zoti Mlladiç është akuzuar për përfshirje në një masakër të vitit 1995 të gati 8 mijë myslimanëve në Srebrenicë.

//rd//

XS
SM
MD
LG